Kosova ende nuk i ka asgjësuar dozat e skaduara të AstraZenecas

  • E. /
  • 10 September 2021 - 10:33
 Kosova ende nuk i ka asgjësuar dozat e skaduara të AstraZenecas

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë nuk ka dhenë informacione se në çfarë mënyre do të asgjësohen dozat e vaksinave AstraZeneca, të cilave tashmë i’u ka skadu afati i përdorimit.

Kosova është në mesin e disa shteteve në rajon, por edhe me gjerë, që për shkak të kalimit të afatit të qëndrueshmërisë, pritet t’i asgjësoj mbi 133 mijë doza të vaksinave të kompanisë farmaceutike AstraZeneca.

Zyrtarët nga Inspektorati Farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, në një përgjigje me shkrim, thotë për Radion Evropa e Lirë se “sa u përket produkteve me afat të skaduar, institucioni – në këtë rast Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) – bënë kërkesën pranë Inspektoratit Farmaceutik për verifikim të stokut të produkteve me afat të skaduar”.

Pastaj, shtojnë nga inspektorati, në bazë të kërkesës, bëhet “verifikimi i stokut dhe me procesverbal, urdhërohet që të ruhen dhe karantinohen deri në krijimin e kushteve për shkatërrim”, thuhet në përgjigjen e inspektoratit.

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë, se cilat do të duhej të ishin procedurat për asgjësimin e këtyre vaksinave.

Ai thotë se në ketë drejtim, është e rëndësishme të dihet edhe marrëveshja me prodhuesit lidhur me vaksinat.

Sipas tij, Kosova ka legjislacion në fuqi sa i përket shkatërrimit të produkteve medicinale të pa përdorshme, të skaduara, apo ato të cilat mund të rezultojnë më ndonjë defekt të caktuar.

“Duke marrë parasysh këto, institucioni në të cilin ato janë, duhet të evidentohen si vaksina të papërdorshme, duhet të zhvillohen procedurat në harmoni me rregullat duke marrë edhe një leje nga Ministria e Mjedisit dhe në ketë mënyrë, në kompanitë të cilat janë të licencuara për këto procedua, duhet të bëhet asgjësimi”, tha Jakupi.

Jakupi thotë se shkatërrimi i vaksinave, në këtë rast të atyre të AstraZenecas, duhet të bëhet edhe në konsultime me prodhuesit e vaksinave.

“Mund të ketë procedura të tilla të cilat mund të parashohin edhe mënyrën e saktë të shkatërrimit më ndonjë specifik të veçantë të cilën e parasheh prodhuesi, ose ndonjë çështje tjetër që mund të parashihet në diskutime e tilla, qoftë për shkatërrimin, vendin e shkatërrimit ose edhe kthimin në ndonjë vend tjetër. Do të thotë, mund të ketë procedura të ndryshme që mund të diskutohen ndërmjet institucioneve dhe prodhuesve”,sqaroi Jakupi.

Për asgjësimin e produkteve medicinale në Kosovë, përveç ligjit ekziston edhe një udhëzim administrativ.

Me këtë udhëzim, rregullohen kompetencat e organeve dhe mënyra e administrimit të mbeturinave të produkteve medicinale, në pikëpamje të klasifikimit, kategorizimit, transportit, magazinimit dhe të asgjësimit të mbeturinave të produkteve mdicinale, me metoda të caktuara.

Kompania EnvriCon SH.P.K., është njëra nga kompanitë e licencuara nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimin Hapësinor për shkatërrimin, veç tjerash edhe të mbetjeve të ndryshme medicinale.

Udhëheqësi i kësaj kompanie Ruzhdi Thaçi, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë, si veproi kompania në shkatërrimin e mbetjeve medicinale.

“Mbeturinat medicinale i bartim me kombi frigorifer, për shkak se janë të rrezikshme. Pra, nga klinikat apo laboratorët e ndryshëme [privat] dhe i dërgojmë në frigorifer dhomë, aty ku e kemi bazën dhe bëjmë asgjësimin e tyre. Shkatërrimi i tyre e bëjnë në vende të caktuar me djegie në temperatura të larta prej 850 deri në 1,100 gradë”, tha Thaçi.

Më herët, zyrtarët në Ministrinë e Shëndetësisë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se vaksinat e skaduara, ende nuk janë grumbulluar në një vend të caktuar.

Shumica e vaksinave janë ende në komuna të ndryshme në qendrat të vaksinimit.

Këtë e konfirmoi edhe Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, Fevzi Sylejmani. Ai tha se nuk e din me saktësi se sa është numri i vaksinave AstraZeneca me skadencë, por që ato janë ende të pranishme që qendër.

“Ende janë në qendër, por ato janë ende jashtë përdorimit. Nuk e di pse nuk janë kthyer ende. Jemi duke pritur rekomandimet nga Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë që ato të kthehen në Prishtinë”, tha Sylejmani.

Nga IKSHPK nuk kanë qenë të qasshëm për koment, megjithë përpjekjet e bëra nga Radio Evropa e Lirë!

Ndryshe, Kosova në muajin maj nënshkroi kontratë me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, për sigurimin e mbi 1 milion vaksinave kundër koronavirusit. Çdo javë, në Kosovë vijnë mesatarisht rreth 55,000 doza të Pfizerit. Deri tani janë administruar gjysma e vaksinave nga kjo kontratë.

Kosova po ashtu merr vaksina edhe përmes mekanizmit COVAX dhe nga partnerët e tjerë në formë të donacioneve. Ndër to është edhe vaksina e Oxfordit, AstraZeneca, por të cilën, qytetarët e Kosovës po hezitojnë ta marrin.

Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë dërguar në Kosovë mbi gjysmë milioni doza të vaksinave Pfizer, kundër koronavirusit.

Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar mbi 154.000 raste të infektimit me koronavirus. Prej tyre 2.728 persona kanë vdekur.

Deri më 9 shtator, në ora 15:00, është vaksinuar 18.8 për qind e popullsisë së përgjithshme.

(Kosova Sot Online)