DnV: Zgjedhjet lokale duhet të mbahen, shtyrja e tyre cenon legjitimitetin e institucioneve

  • G.g /
  • 13 September 2021 - 15:46
DnV: Zgjedhjet lokale duhet të mbahen, shtyrja e tyre cenon legjitimitetin e institucioneve

Demokracia në Veprim konsideron se zgjedhjet lokale duhet të mbahen më 17 tetor, por duke respektuar masat anti-COVID që janë në fuqi.

Në prag të takimit të Presidentes Vjosa Osmani me partitë politike, DnV përmes një komunikate për media deklaron se zgjedhjet lokale të 17 tetorit duhet të mbahen brenda afateve të përcaktuara.

“Zgjedhjet e rregullta lokale janë shpallur nga Presidentja Vjosa Osmani, për datën 17 tetor të këtij viti, duke u bërë kështu procesi i tretë zgjedhor që Kosova organizon në periudhën e pandemisë COVID-19. Për sot është paralajmëruar mbajtja e një takimi konsultativ mes subjekteve politike dhe Presidentes Osmani, për të diskutuar rekomandimin e IKSHPK-së, i cili kërkon shtyrjen e procesit zgjedhor. Ndonëse situata aktuale është e përkeqësuar, Demokracia në Veprim konsideron se zgjedhjet lokale të 17 tetorit duhet të mbahen brenda afateve të përcaktuara, por në respektim dhe përputhje me masat në fuqi për parandalimin e shpërndarjes së virusit dhe protokolleve tjera në fuqi”, thuhet në komunikatën e DnV’së.

Tutje, DnV thotë se mandati i institucioneve të nivelit lokal ngërthen në vete edhe legjitimitetin e tyre, që do të cenohej në rast të shtyrjes së zgjedhjeve.

“Organizimi i këtyre zgjedhjeve do t’u mundësojë qytetarëve ushtrimin e të drejtës së tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në institucionet e nivelit lokal, që përbën një prej parimeve bazë të funksionimit demokratik të një shteti. Duke qenë se këto zgjedhje janë të rregullta në kuptimin periodik, mbajtja e këtyre zgjedhjeve është e një rëndësie të veçantë edhe sa i përket mandatit katër-vjeçar që u është dhënë institucioneve të nivelit lokal, mandat ky i cili sipas legjislacionit në fuqi mbaron në fund të muajit tetor. Çështja e mandatit të institucioneve të nivelit ngërthen në vete edhe aspektin e legjitimitetit të tyre, që do të cenohej në rast të shtyrjes së zgjedhjeve”, thuhet në komunikatë.

DnV ka kërkuar nga partitë politike dhe institucionet relevante që të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për mbajtjen e zgjedhjeve, duke respektuar protokollet shëndetësore.

“Demokracia në Veprim kërkon që institucionet relevante, por edhe vet subjektet politike, të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për organizimin e një procesi zgjedhor të sigurt shëndetësor. Mes tjerash kjo nënkupton respektimin e masave për numrin e lejuar të qytetarëve në tubime, respektimin e masave si maska dhe distanca, si dhe masave tjera specifike që ndërlidhen drejtpërdrejt me procesin zgjedhor. Po ashtu, institucionet shëndetësore do të duhej që deri në fillimin e procesit zgjedhor të përditësojnë manualet përkatëse për organizimin e zgjedhjeve, duke marrë në konsideratë mësimet e nxjerra nga organizimi i dy palë zgjedhjeve më parë”, deklaron DnV.

(Kosova Sot Online)