Situata me Covid-19, Zemaj kërkon që ministri Vitia të raportojë në Komisionin për Shëndetësi

  • G.g /
  • 14 September 2021 - 10:43
Situata me Covid-19, Zemaj kërkon që ministri Vitia të raportojë në Komisionin për Shëndetësi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj e ka kritikuar Qeverinë “Kurti”  për keqmenaxhim të pandemisë Covid-19. Ai e konsideroi brengosëse dhe shqetësuese numrin e lartë të vdekjeve që janë shënuar javëve të fundit në Kosovë.

Zemaj deklaroi se varianti Delta ka prekur qyetetarët pa dallim moshe, etnie e feje.

“Ajo çfarë është brengosëse mbi të gjitha shqetësuese është humbja e jetëve të shumë qytetarëve tanë dhe në këtë rast edhe në mbledhjen e Komisionit  më lejoni që t’iu shprehë ngushëllime më të sinqerta të gjithë familjarëve që i kanë humbur të dashurit e tyre nga infeksioni Covid-19. Pa dallim moshe, gjinie, feje dhe etnie virusi ka prekur në mënyrë ekstreme sidomos me shpërrndarjen e variantit Delta”, ka thënë Zemaj.

Më tutje, deputeti i LDK-së deklaroi se Qeveria “Kurti”, nuk ka arritur që ta menaxhojë në mënyrën e duhur pandeminë.

Ai tha se Qeveria ka dështuar edhe me menaxhimin e vaksinave dhe me shpërndarjen e tyre.

“Kemi ngritur shqetësimet tona në fillim të këtij vitit sidomos në muajt maj dhe qershor, në interesimin tonë që t’i tërheqim vërejtjen qeverisë, MSh-së, ministrit të Shëndetësisë që nuk janë koshient për ta menaxhuar situatën me pandeminë. Ajo çfarë kemi potencuar është rritja ekstreme e rasteve të infeksionit , numri i madh i vdekjeve dhe pasojat e tjera ekonomike, sociale dhe psiqike në vendin tonë. Menaxhimi i distribuimit të dobët të vaksinave, humbja e një numrit të konsiderueshëm të tyre dhe gjuajtja e tyre. Të gjitha këto kanë treguar se Qeveria ka qenë neglizhente në këtë drejtim dhe nuk e  ka vendosë një ndër prioritetet e veçanta apo ekzekutive ashtu siç e ka paraqitur në strategjinë dhe në planin qeveritar nuk e kanë marrë mandatin”, ka thënë Zemaj.

Kryetari i Komisionit për Shëndetësi kërkoi nga anëtarët e tjerë të komisionit që ta ftojnë në raportim ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Duhet ta ftojmë ministrin e Shëndetësisë në një raportim të shpejtë. Nuk po du me akuzu as pozitën e as fuqinë e numrave por mendoj që Komisioni për Shëndetësi  ka kohë që është dashur të  takohet”, ka thënë ai. 

(Kosova Sot Online)