Nis gjyqi i parë në Gjykatën Speciale

  • G.g /
  • 15 September 2021 - 10:38
Nis gjyqi i parë në Gjykatën Speciale

Të mërkurën (15 shtator) nisi gjykimi i parë në Dhomat e Specializuara në Hagë, që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale.

Ky gjykim mbahet kundër Salih Mustafës, i akuzuar për krime lufte si ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktakuza kundër tij për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme është konfirmuar në qershor të vitit të kaluar.

Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës.

Për akuzat ndaj tij, Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Gjykimi nis në orën 09:30 në Hagë dhe transmetohet me një vonesë prej 45 minutash.

Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, në ditën e pare të gjykimit kryegjykatësja e Trupit Gjykues do të hapë gjykimin dhe do ta informojë të akuzuarin për të drejtat dhe obligimet e tij.

Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ketë tri orë për deklaratën e vetë hapëse.

Më pas, mbrojtësja që përfaqëson viktimat pjesëmarrëse do të ketë një orë e gjysmë për deklaratën e saj hapëse.

“Deri më tani si viktima pjesëmarrëse në proces janë pranuar nëntë persona dhe procesi i paraqitjes së kërkesave është i hapur”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Seanca për këtë gjykim janë planifikuar për muajt shtator dhe tetor.

Gjykatësit kanë bërë të ditur se prokuroria do të ketë 87 orë për paraqitjen e provave të veta. Prokuroria ka plan të thërrasë 16 dëshmitarë, 15 prej të cilëve do të dëshmojnë në sallën e gjyqit.

Përveç Mustafës, procese gjyqësore pritet të nisin edhe ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Gjykata është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, por vepron në Hagë të Holandës.

(Kosova Sot Online)