Konjufca – Lajçakut: Integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës janë të panegociueshme
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka takuar sot përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Në takimin e Konjufcës me Lajçakun është biseduar për ecurinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.
Zyra për informim e Kuvendit të Kosovës përmes një komunikate për media thotë se Konjufca ka deklaruar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultojë me njohje reciproke.
“Kryekuvendari Konjufca u shpreh se dialogu duhet të rezultojë me njohje reciproke dhe përsëriti qëndrimin se rendi kushtetues, sovraniteti, integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës janë të panegociueshme. Asnjëherë nuk do të pranojmë që këto postulate të shtetit tonë të jenë temë e bisedimeve me Serbinë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, diplomati i BE-së do të takohet edhe krerë të partive politikë në vend kurse pasdite edhe me drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme Lajçak u takua me kryeministrin Albin Kurti dhe më zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Lajçak, pas takimit tha se nuk ka biseduar për hapjen e arkivave të Kosovës. Ai tha se është duke punuar për të caktuar një takim të radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Kurse Kurti vetëm përmes një komunikate për media ka dhënë detaje rreth këtij takimi.
Mbarëvajtja e procesit të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces ishin në qendër të takimit.
Kurti konfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e BE-së, dhe perspektivën evropiane të rajonit.
(Kosova Sot Online)