Mbretëria e Bashkuar konfirmon zhvendosjen e 117 afganëve nga Kosova

  • E. /
  • 16 September 2021 - 16:03
 Mbretëria e Bashkuar konfirmon zhvendosjen e 117 afganëve nga Kosova

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka njoftuar se 117 afganë kanë  fluturuar sot nga Kosova për në Mbretërinë e Bashkuar, pas evakuimit të tyre nga Afganistani.

Përmes një njoftimi për media, Ambasada britanike ka njoftuar se rreth 2000 ish-kontraktorë të NATO-s dhe familjet e tyre u evakuuan nga Afganistani në total, ku mbi 800 janë vendosur në strehim të përkohshëm të siguruar nga Qeveria e Kosovës.

“Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar nën komandën e NATO -s janë vendosur në Kosovë dhe janë në pararojë të operacionit për të mbështetur strehimin dhe zhvendosjen e tyre. Mbretëria e Bashkuar është krenare që po luan rolin e saj dhe është anëtarja e parë e NATO -s që siguron zgjidhje të shpejtë të mëtejshme. Mbretëria e Bashkuar është angazhuar të zhvendosë rreth 150 afganë të lidhur me NATO-n”, thuhet në njoftim.

Ambasada britanike ka falënderuar dhe ka thënë se i është jashtëzakonisht mirënjohës për bujarinë e Kosovës në pritjen e këtyre njerëzve të cenueshëm dhe për hapin përpara për të mbështetur NATO -n në kohën e nevojës.

(Kosova Sot Online)