Boris Johnson më në fund tregon sa fëmijë ka: “Ndërroj shumë pelena”

  • G.g /
  • 22 September 2021 - 10:53
Boris Johnson më në fund tregon sa fëmijë ka: “Ndërroj shumë pelena”

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, më në fund ka pranuar se ka gjashtë fëmijë. Ai i ka ikur kësaj pyetjeje në të kaluarën në shumë intervista e konferenca për gazetarë.

Duke folur për një emision të televizionit NBC përderisa po qëndron në Shtetet e Bashkuara për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Johnson u pyet nga një intervistues nëse ka gjashtë fëmijë dhe ai u përgjigj shkurt: “Po.”

Numri i fëmijëve të kryeministrit britanik ka qenë temë në politikën e Mbretërisë së Bashkuar për shumë vjet, pasi një gjykatë angleze e kishte shfuqizuar urdhrin që ua ndalonte medieve që ta raportonin ekzistencën e një vajze të kryeministrit si rezultat i një afere jashtëmartesore.

Johnson ka katër fëmijë me ish-bashkëshorten Marina Wheeler, një vajzë nga një aferë dhe një djalë me bashkëshorten e tij, Carrie Johnson, me të cilën u martua këtë vit, shkruan CNN.

Kryeministri britanik tha për televizionin amerikan se është fantastike të kesh foshnjë në rezidencën zyrtare, por gjithashtu kjo nënkupton shumë punë. “Por vërtet më pëlqen kjo. Ndërroj shumë pelena”, tha ai.

Në gusht, bashkëshortja e tij tregoi se çifti është në pritje të fëmijës së dytë. I biri i tyre, Wilfred, u lind në prill të vitit të kaluar, kur babai kryeministër ishte në spital me simptoma të rënda të koronavirusit. Ai madje ishte vendosur në repartin e kujdesit intensiv.

(Kosova Sot Online)