E padëgjuar më parë: Të frikësuar për Bahtirin, VV-ja e Mitrovicës proteston kundër Hamzës

  • E. /
  • 23 September 2021 - 20:48
 E padëgjuar më parë: Të frikësuar për Bahtirin, VV-ja e Mitrovicës proteston kundër Hamzës

Pas deklaratës së mbrëmshme në Pressing të kandidatit të PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili tha se ka aktivistë të VV-së që po e mbështesin, kanë reaguar sot nga dega e VV-së në Mitrovicë.

 “Agimi i Albinit, Bedriu i Hashimit”, shkruhej në parullat e aktivistëve të VV-së që dolën për të protestuar në sheshin e Mitrovicës.

“Aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë sot përmes një aktivitetit i treguan njëherë e mirë kandidatit të PDK-së, Bedri Hamza, se ne jemi të unifikuar. As tentimi i dështuar i Bedriut të PDK-së, duke thënë se ka aktivistë të Vetëvendosjes që po e përkrahin, nuk i ndihmon nga humbja e thellë dhe pa balotazh. Para se gjithash, ata që e ndjejnë Vetëvendosjen e dinë mirë se Bedriu është dorë e Hashimit. Kurse, Agimi është i Albinit, sepse ashtu ka vendosur Lëvizja. Ne jemi bashkë për Agimin! Ne do të qeverisim së bashku me Agimin e Albinin, që të kthejmë dinjitetin e Mitrovicës”, thuhej në komunikatën e degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicës.

Bedri Hamza mbrëmë tha se ai ka marrë përkrahje në shumë prej partive tjera, përfshirë anëtarë të partive që kanë kundërkandidatë të Hamzës.

“Unë jam një kandidat për Mitrovicën përtej Partisë Demokratike për shkak se jam i përkrahur edhe nga subjektet e tjera politike. Edhe nga Aleanca Kosova e Re, edhe nga Partia e Drejtësisë, edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, subjekte politike me atë fuqi politike që kanë”, sqaroi ai.Të jeni të bindur që kam përkrahje edhe nga njerëz që u takojnë subjekteve politike që kandidatët e tyre i kanë në garë, sidomos elektorat i caktuar i Vetëvendosjes”, kishte deklaruar Hamza.

“Bahtiri në Vetëvendosje ka ardhur shumë vonë dhe një pjesë e elektoratit ndoshta s’e njohin, ndoshta s’e pranojnë dhe ata janë përcaktuar për të më përkrahur mua në këtë proces zgjedhor. Po flas për aktivistë të VV’së të cilët kanë qenë qysh nga themelimi”, kishte sqaruar Hamza.

(Kosova Sot Online)