Dëshmitari i dytë: Komandant Cali mbante kapelë të kuqe
Po vazhdon intervistimi i dëshmitarit të dytë në çështjen kundër Salih Mustafës. Dëshmitari ka lënë të nënkuptohet se ka qenë pjesë e një njësie luftarake gjatë luftës, pasi kur u pyet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar se a kanë bashkëpunuar njësitë në operacione luftarake, ai u përgjigj: “Po kemi bashkëpunu”, ndërkaq më vonë pasuan edhe përgjigje të tilla.
Prokurori Filip Odemiqis ka pyetur nëse ka pasur komandë qendrore apo koordinim për të bashkërenduar dy njësitë në Zllash. Dëshmitari u përgjigj se kanë vepruar ashtu si kanë mundur pasi nuk ka pasur koordinim.
“Jo nuk besoj që ka pasë, për arsye se forcat serbe kur kanë sulmu aty nuk ka pasë komandë, po jemi gjetë secili qysh kemi mujt për me u mbrojtë, komandë të veçantë nuk ka pasë asnjë vend, as nga Briagada as BIA, as nga zona operative e Karadakut që ka vepruar në Zllash, por forcat serbe kur kanë sulmuar ne kemi qenë të gatshëm gjithmonë me i dalë përballë ashtu qysh kemi mujt”, tha dëshmitari.
Më tej pohoi se Mustafa që njihej me pseudonimin “komandant Cali” kishte një zëvendës dhe ai njihej me nofkën “Dardani”. Dëshmitari tha se anëtarët e njësive kanë pasur gjithnjë pseudonime dhe disa mund t’i ketë harruar.
“Ata gjithmonë kanë pas pseudonime. Një pjesë të tyre ndoshta i kam harru. Jo vetëm ata por shumica e ushtarëve kanë qenë me pseudonime”.
Më tej, Odemiqis ka vazhduar ta pyesë për emra konkretë.
“A të thotë gjë emri Nazif Fazliu. A të kujtohet pseudonimi”, pyeti ai. “A të thotë gjë emri Bimi”.
“Po”, u përgjigj dëshmitari duke shtuar se nuk e di nëse ka qenë anëtar i BIA-s.
Ndërkaq, për Nazif Fazliun u përgjigj se “me sa e di unë po”, se ka qenë anëtar i njësisë BIA.
“Po Bahri Gahsi a ka qenë pjesë e njësisë BIA”, pyeti Odemiqis.
“Po”, u përgjigj.
Pyetjet e tjera që parashtroi patën të bënin me uniformat e tyre. Ai pyeti se çfarë uniforma vishnin anëtarët e njësive dhe nëse Mustafa mbante kapelë dhe çfarë ngjyre kishte.
“Herë ka pasë uniformë, herë nuk ka pasë. Por ma shumë ka pasë uniformë dhe ka pasur kapelë të kuqe”, ka thënë dëshmitari për uniformën dhe kapelën e Mustafës.
Prej disa ditësh, dëshmitari që dëshmoi i pari para trupit gjykues përmendi disa herë një kapelë të kuqe që e kishte parë, por se nuk e kishte parë fytyrën e personit me atë kapelë, që siç thoshte ai, ishte po e kuqe.
Seanca ka kaluar serish në seancë private e mbyllur për publikun. Të pranishmit kanë shkuar në pushim deri në ora 14:30.
(Kosova Sot Online)