Presidentja e Komisionit Evropian flet për situatën në veri: Të vazhdohet me dialogun

  • E. /
  • 29 September 2021 - 12:11
 Presidentja e Komisionit Evropian flet për situatën në veri: Të vazhdohet me dialogun

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka folur për shumë tema në vizitën e sotme në Kosovë. Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, Leyen u pyet dhe foli edhe për situatën në pikëkalimet kufitare të Kosovës me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak, duke theksuar nevojën për shtensionimin e situatës.

Ajo përmendi se negociatorët e Kosovës dhe Serbisë aktualisht ndodhen në Bruksel për ta gjetur një kompromis për tejkalimin e kësaj.

“Së pari, çështjet që po i shohim aktualisht në kufi. Më reflektoni të flasim rreth kësaj fillimisht. Ndërkohë që ne jemi këtu, në Bruksel po zhvillohet takimi mes negociatorëve. Negociatorët shpresoj që kanë mandat të fuqishëm për të negociuar. Jam thellësisht e bindur që duhet të shtensionohet situata dhe të vazhdohet me dialog. Unë vij nga një vend dhe nga BE-ja që e di se çfarë nënkupton kjo”, tha ajo.

Tutje, ajo kaloi në çështjen e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke e pritur mirë padurimin e qytetarëve të Kosovës rreth kësaj.

“E di që ka padurim për të ecur përpara. Ta marrim këtë dhe ta vendosim në një konstrukt të punës për të ardhmën e rajonit. Përvoja ime është që nëse ndryshoni në mënyrë efektive, ju i afroheni ëndrrave. Jam mbështetëse e flaktë e zgjerimit”, tha presidentja e Komisionit Evropian.

Ajo më tej foli edhe për ekonominë, duke theksuar planin për krijimin e vendeve të reja të punës që do të paguhen mirë.

“Ju vetë më keni thënë që Kosova është vend i sipërmarrësve dhe popull me shqiprt sipërmarrës kështu që do të duhet të përfitohet këtu me krijimin e vendeve të punës që paguhen mirë. Me këtë ka të bëjë plani për zhvillimin ekonomik”, tha Ursula von der Leyen.

“Ne dëshirojmë një të ardhme ku Kosova dhe i gjithë Ballkani do të jetë pjesë e BE-së… Këtë e dëshirojmë të gjithë. Mendoj që këtë ua kemi borxh fëmijëve që i pamë sot”, tha ajo.

Sa i përket vaksinimit, ajo tha se “ne dëshirojmë ta përshpejtojmë vaksinimin në Kosovë dhe ta arrijmë një rimëkëmbje ekonomike afatgjate të qëndrueshme”.

(Kosova Sot Online)