Rasti Gucati dhe Haradinaj, Specialja largon 9 artikuj e shton 29 tjerë
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka parashtruar në gjykatë listën e përditësuar të provave në rastin ku Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, të cilët po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Sipas ZPS-së, përditësimet e vetme në listë janë shtimi i 29 artikujve të cilat trupi gjykues e ka autorizuar ZPS-në që t’i përfshijë në listën e provave, si dhe heqjen e nëntë artikujve që ZPS ka vënë në dukje se do t’i largonte.
Ndërkaq, lista është e përfshirë në një aneks konfidencial, e cila nuk është publikuar në faqen zyrtare të gjykatës.
Ndryshe, gjykimi ndaj tyre pritet të fillojë më 7 tetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
(Kosova Sot Online)