ShBA-ja e Rusia pajtohen më në fund për diçka, dalin me deklaratë të përbashkët

  • G.g /
  • 01 October 2021 - 09:46
ShBA-ja e Rusia pajtohen më në fund për diçka, dalin me deklaratë të përbashkët

Shtetet e Bashkuara dhe Federata Ruse janë pajtuar që t’i vazhdojnë bisedimet për kontrollin e armëve dhe për sigurinë strategjike me qëllim të uljes së tensioneve mes dy fuqive më të mëdha në botë me armë bërthamore.

Duke u takuar në Gjenevë të Zvicrës të enjten, diplomatë të lartë amerikanë e rusë u pajtuan që të formojnë dy grupe punuese për t’i synuar akordet e mundshme për armët bërthamore dhe kërcënimet tjera globale, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Dy grupet punuese pritet të mblidhen para një takimi të tretë plenar. Palët nuk kanë njoftuar për ndonjë datë të takimit, shkruan Free Europe.

Presidentët Joe Biden i Shteteve të Bashkuara dhe Vladimir Putin i Rusisë në takimin e tyre në qershor në Zvicër u pajtuan për nisjen e dialogut dypalësh për stabilitetin strategjik dhe zyrtarë amerikanë e rusë u takuan në të njëjtin qytet në korrik.

Në takimin e së enjtes, delegacioni amerikan u udhëhoq nga nënsekretarja e Shtetit, Wendy Sherman, ndërsa delegacioni rus nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Sergei Ryabkov. Në deklaratë thuhet se pati bisedime intensive dhe përmbajtësore.

Dy fuqitë botërore po synojnë që të zgjidhin çështje specifike si marrja e masave përtej traktatit “New START”, i cili ka të bëjë me kontrollimin e armëve. Presidentët e të dyja shteteve janë pajtuar që traktatit t’i vazhdohet afati i vlefshmërisë deri në vitin 2026.

(Kosova Sot Online)