Nis hakmarrja për Francën: BE-ja ia shtyn Australisë bisedimet tregtare
Ministri australian i Tregtisë, Dan Tehan, tha të premten se bisedimet me Bashkimin Evropian për marrëveshje tregtare janë shtyrë. Besohet se ky vendim është marrë si pasojë e vendimit të Australisë për ta prishur marrëveshjen 40-miliardëshe me Francën për blerjen e nëndetëseve bërthamore.
Muajin e kaluar, Australia e anuloi marrëveshjen me një kompani franceze për blerjen e nëndetëseve bërthamore dhe njoftoi se do të blejë së paku tetë nëndetëse të tjera me teknologji amerikane e britanike, shkruan Reuters.
Vendimi i Australisë e ka zemëruar Francën, e cila i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Francën për thikë pas shpine. Parisi i tërhoqi ambasadorët e vet nga Uashingtoni dhe Canberra.
Duke shfaqur solidaritet me Francën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka vënë në pikëpyetje marrëveshjen tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Australisë.
Ministri australian refuzoi të komentonte për rolin që marrëveshja bërthamore ka pasur në shtyrjen e bisedimeve për tregti, por konfirmoi se rundi i planifikuar për 12 tetor është shtyrë për një muaj.
“Do të takohem javën e ardhshme me homologun tim, Valdis Dobrovskis, për të diskutuar për rundin e 12-të të bisedimeve, i cili tash do të zhvillohet në nëntor e jo në tetor”, tha Tehan në një deklaratë për agjencinë Reuters.
(Kosova Sot Online)