Rusia fut hundët në Afganistan, organizon bisedime ndërkombëtare
Moska po planifikon të organizojë bisedime ndërkombëtare për Afganistanin më 20 tetor, tha të enjten përfaqësuesi i posaçëm i presidentit rus, Vladimir Putin.
Përfaqësuesi Zamir Kabulov nuk dha hollësi të mëtejme rreth bisedimeve të planifikuara, por komentet e tij u publikuan nga agjencitë ruse të lajmeve, shkruan Reuters.
Moska organizoi një konferencë ndërkombëtare për Afganistanin në mars të këtij viti, në të cilën Rusia, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Pakistani dolën me deklaratë të përbashkët duke bërë thirrje që palët që ishin në luftë me njëra-tjetrën të arrinin marrëveshje të paqes dhe ta ndalnin dhunën.
Prej asaj kohe, shumë gjëra kanë ndryshuar. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj i tërhoqën trupat nga Afganistani pas dy dekadave, qeveria ra dhe talibanët e morën pushtetin në gusht.
Disa shtete si Pakistani dhe Katari kanë bërë thirrje për njohje të gjerë ndërkombëtare të talibanëve si pushtetarë legjitim në Afganistan, por shtetet perëndimore po ngurojnë për të bërë një gjë të tillë.
Sidoqoftë, disa diplomatë britanikë tashmë janë takuar me ministrin e Jashtëm të Afganistanit, të emëruar nga talibanët, në vizitën e parë pas largimit të trupave nga shteti i rrënuar nga lufta.
(Kosova Sot Online)