Nëndetësja bërthamore amerikane godet një objekt në Detin e Kinës Jugore, disa të lënduar
Një nëndetëse sulmuese amerikane me energji bërthamore ka goditur një objekt në ujërat ndërkombëtare të Detit të Kinës Jugore, njoftuan zyrtarët.
Raportohet se 11 anëtarë të ekuipazhit kanë pësuar lëndime, ndërsa dy prej tyre janë lënduar më seriozisht. Të gjithë kanë marrë trajtim brenda nëndetëses, shkruan The Guardian.
Përmes një deklarate të shkurtër, në të cilën u dhanë pak hollësi për incidentin që ndodhi pesë ditë më parë, Flota e Paqësorit e ShBA-së tha se nëndetësja “USS Connecticut” është në gjendje të sigurt dhe të qëndrueshme, ekuipazhi nuk ka pësuar lëndime që e rrezikojnë jetën dhe nëndetësja ende është plotësisht e operueshme.
Në deklaratë nuk saktësohet vendi i incidentit, por dy zyrtarë të forcave detare, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se ai ndodhi në Detin e Kinës Jugore, kur nëndetësja po kryente operacione rutinore.
Ky incident ndodhi në kohën e eskalimit të tensioneve në rajon dhe në të njëjtën fundjavë, kur aeroplanmbajtëset amerikane e britanike kryen ushtrime ushtarake me Japoninë, Kanadanë, Holandën dhe Zelandën e re afër Tajvanit.
(Kosova Sot Online)