Bashkëshortja e Rexhep Selimit i drejtohet drejtorit të Policisë: A keni ofruar dëshmi për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së?

  • E /
  • 12 October 2021 - 12:56
Bashkëshortja e Rexhep Selimit i drejtohet drejtorit të Policisë: A keni ofruar dëshmi për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së?

Deputetja e VV-së, njëherit dhe bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Mehmeti Selimi, e ka pyetur drejtorin e policisë së Kosovës, Samedin Mehmetin, se a ka ofruar dëshmi Policia te Gjykata Specialja lidhur me mbrojtjen për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së.

Mehmeti tha se kjo pyetje duhet t’i bëhet Dhomave të Specializuara.“Besoj që opinioni publik tashmë e di se na janë bë kërkesat nga avokatët mbrojtës dhe ne i kemi adresua kërkesat nga avokatët mbrojtës ndërsa pyetjet rreth Dhomave të Specializuara kisha pasë dëshirë me ua bë Dhomave të Specializuara”.

Ndërsa, Selimi insistoi duke kërkuar sqarime nga drejtori i Policisë.“Po mendoj që Dhomat e Specializuara kanë kërkua që me ofrua dëshmi se çfarë kushtesh dhe dëshmi keni për të ofrua mbrojtjen e lirimit me kusht”. Megjithatë, prapë Mehmeti tha se u takon kjo çështje Dhomave të Specializuara, por theksoi se informatat për kapacitete e Policisë tashmë i kanë dërguar në Hagë.

“Avokatët mbrojtës kanë bë kërkesa për kushtet e lirimit me kusht. Ne kemi dërgua kapacitetin dhe aftësinë tonë dhe mundësinë tonë për me sigurua lirimin me kusht, sa i përket çështjes rreth Dhomave të Specializuara, kisha pasë qejf me na kursye për shkak se ato i takojnë Dhomave të Specializuara, jo neve”.

Pastaj Mehmeti ka raportuar për situatën në veri. Ai tha se serbët e mbledhur rreth pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë e Bërnjak, kishin qëllim që t’i shkatërronin këto dy pika kufitare me ekskavatorët që i kishin vendosur në rrugë si bllokadëMehmeti, në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes tha se këto informacione Policia i posedonte më 10 shtator, ndërsa shtoi se planifikohej të shkatërrohej edhe konstruksioni me kontejnerë i vendosur për Policinë Speciale.

“Mëngjesin e datës 20 (shtator), kemi pranuar informacione nga agjencione të sigurisë që operojnë në Republikën e Kosovës, të detajuara, lidhur me kohën, vendin, mjetet dhe urdhrit për t’i bllokuar rrugët. Gjithashtu, informacionet e konfirmuara se më datë 19 në mbrëmje, individë të njohur për Policinë, me background kriminal, me influencë politike, kanë mbajtur takim me të gjitha strukturat ilegale dhe kanë dhënë urdhër për mobilizimin e qytetarëve dhe kishin kërkuar të shkonin masivisht drejt pikave kufitare dhe t’i bllokonin rrugët me qëllim që të pamundësohet zbatimi i vendimit të Qeverisë dhe lëvizja e Policisë”, tha Mehmeti.

Ai shtoi se serbët e mbledhur, të koordinuar me strukturat paralele dhe nga njerëz me të kaluar kriminale të njohur nga Policia, planifikonin t’i përdornin ekskavatorët e vendosur në rrugë.

“Këto informacione konfirmohen si të sakta diku rreth orës 7 të datës 20/09, kur qytetarë të ndryshëm, me kamionë, me mjete të ndryshme transportuese, fillojnë t’i bllokojnë rrugët.

Aty bie në sy sidomos prezenca e ekskavatorëve, të cilët sipas informacioneve të mbledhura nga terreni, kanë qenë me qëllim që të shkatërrohen pikat kufitare, me theks të posaçëm, konstruksioni me kontejnerë i vendosur për Policinë Speciale”, deklaroi Mehmeti.Drejtori i Policisë më tej tregoi se si organizoheshin serbët dhe se si përdoreshin nga strukturat paralele për të qëndruar në protestë.“Zakonisht ndërrimet i kanë bërë çdo 6 orë, është vërejtur mungesa e dëshirës së qytetarëve për t’iu bashkangjitur protestës. Shpeshherë janë përdorur punëtorët e organizatave publike. Sa për informacion, edhe automjetet që janë përdorur, shumica janë të organizatave publike”, tha Mehmeti.

(Kosova Sot Online)