Mbi 18 mijë të vdekur janë larguar nga listat votuese
Emrat e më shumë se 18 mijë personave të vdekur janë larguar nga lista votuese e Zgjedhjeve Lokale e cila do të shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor.
Pas zgjedhjeve të parakohshme që janë mbajtur më 14 shkurt të këtij viti, numri i personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese është 18 mijë e 252 persona.
Pjesë më e madhe e tyre, 14 mijë e 81 emra, janë larguar nga lista votuese sepse të njëjtit janë larguar edhe nga skema pensionale.
Nga zgjedhjet e 14 shkurtit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gjetur një metodë të veçantë që i shërben saktësisë dhe pastrimit të listës votuese.
Nga departamenti i pensioneve që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, KQZ-ja ka pranuar një bazë të të dhënave me emrat e personave të cilët janë larguar nga skema pensionale për shkak të vdekjes dhe zyrtarët e KQZ-së kanë verifikuar këto të dhëna në terren.
(Kosova Sot Online)