"Në nëntor Zajednicën ose Rakiqi dhe populli serb largohen nga institucionet e Kosovës"

  • G.g /
  • 18 October 2021 - 16:32

Sot në emër të tyre -jo për herë të parë- foli drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë e Metohi’ të qeverisë së Serbisë, Petar Petkovic, njoftoi me krenari se sa mirë ja ka dalë kjo parti në zgjedhjet në Kosovë dhe shtoi kërcënimin se “Lista Serbe dhe populli serb do të dalin nga institucionet e Kosovës”.

Petkovic paralajmëroi siç kishte bërë vartësi i tij të shtunën, kryetari i partisë serbe Goran Rakic, se do të dalin nga qeveria nëse nuk formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, duke e barazuar këtë parti me të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë.

Nëse nuk formohet Asociacioni i Komunave Serbe, përgjigja do të jetë e tillë që Lista Serbe dhe populli serb do të dalin nga të gjitha institucionet në veri të krahinës. Kjo është ajo që të gjithë duhet ta dinë” porositi Petkovic.

“Ashtu siç ishte bindëse dhe e fuqishme fitorja e Listës Serbe dhe popullit serb në zgjedhjet e mbajtura dje le ta dinë mirë që njejtë i fuqishëm do të jetë përgjigja nëse nuk do të formohet Asociacioni i Komunave Serbe. Nëse nuk nisen hapa konkret institucional që nga takimi i parë i nëntorit Brukselit, që do të duhej ekskluzivisht t’i kushtohej bisedimeve për zbatimin e asaj që është nënshkruar më 2013’n” tha Petkovic para gazetarëve në konferencën e të hënës për shtyp.

Ai shtoi edhe ca këshilla për bashkësinë ndërkombëtare që të analizojnë rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Kosovë, “posaçërisht për ata që kanë mbështetur kryeministrin e institucioneve të përkohshme Albin Kurti” siç i quajti ai” në aksionet e tij të terrorit ndaj serbëve në Kosovë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përballur me kritika për mos shkarkimin e kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakic, për deklaratat e tij kryengritëse kundër Kosovës. Qeveria e Kosovës ka reaguar duke thënë se shkarkimi i tij nga kabineti vetëm do ta faktorizonte atë”.

(Kosova Sot Online)