Prokuroria nis procedurë kundër Millorad Dodikut
Zyra e Prokurorit të Bosnje dhe Hercegovinës njoftoi se është hapur një procedurë kundër anëtarit të Presidencës trepalëshe të këtij vendi, Millorad Dodik.
“Zyra e Prokurorit të Bosnje dhe Herzegovinës informon publikun se me pranimin e raportit të parë, është caktuar edhe një prokuror përgjegjës, dhe raportet e tjera janë gjithashtu në pritje”, tha Zyra e Prokurorit në një njoftim për shtyp.
Zyra e Prokurorit i tha Radios Evropa e Lirë se ata nuk mund të zbulonin detajet e lëndës kundër Dodikut.
Dodik është një kundërshtar i ashpër i vendimit të ish-Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar, i cili e ka përfshirë në Kodin Penal të Bosnje dhe Hercegovinës mohimin e gjenocidit.
Njoftimi pason një mbledhje të presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës në të cilën Dodik mori pjesë, por votoi kundër gjitha pikave të rendit të ditës.
“Kishte një mori pikash që hyjnë në kompetencë të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës. Ato kryesisht kanë të bëjnë me çështjet që lidhen me politikën e jashtme. Dodik ishte kundër të gjitha pikave, gjë që nuk është asgjë e re. Ai e ka bërë atë më parë”, tha anëtari tjetër i presidencës trepalëshe, Zhelko Komshiq.
Sipas, Asamblesë Kombëtare të Republika Srpskës, entitetit serb të Bosnjës, politikanët e Republika Srpskës nuk kanë marrë pjesë në institucionet shtetërore që nga fundi i qershorit, pasi ish-Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Valentin Inzko vendosi ndryshime në Kodin Penal që ndalojnë dhe ndëshkojnë mohimin e gjenocidit dhe lavdërimin e kriminelëve të luftës.
Republika Srpska e ka shpallur të pavlefshëm këtë vendim përmes një dekreti.
Dodik ka intensifikuar retorikën kundër përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje.
Më 15 tetor Dodik tha se Republika Srpska (RS) synon të përmbysë të gjitha vendimet e marra nga përfaqësuesit e lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Ne në Republika Srpska nuk kemi ndërmend të shkelim integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës, por kemi ndërmend të rivendosim sovranitetin e Republika Sërpskes të dhënë nga Kushtetuta. Ky nuk është një kërcënim për integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës”, tha Dodik.
Dodik ka marrë pjesë në punën e Presidencës që nga fundi i gushtit, por ai voton kundër pikave që diskutohen aty.
Para seancës së sotme (18 tetor) të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës Dodik, organizoi një festë në zyrën e tij.
Në përshkrimin e videos shkruhej “Ka kohë që nuk janë dëgjuar në Sarajevë këngë me tematikë të bukur”.
I pranishëm ishte edhe Stasha Kosharac, ministër i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike në Këshillin e Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, i cili këndoi me Dodik dhe anëtarët e kabinetit.
(Kosova Sot Online)