Ekrem Hyseni reagon pas akuzave të Bulliqit, thotë se po viktimizohet për ta arsyetuar humbjen

  • E. /
  • 21 October 2021 - 13:31
Ekrem Hyseni reagon pas akuzave të Bulliqit, thotë se po viktimizohet për ta arsyetuar humbjen

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, ka reaguar pas akuzave nga kundërkandidati nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi.

Bulliqi ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook disa fotografi intime të një burri dhe një gruaje, me të cilat pretendon se Hyseni dhe LDK-ja po tentojnë të ia cenojnë integritetin moral e profesional.

Lidhur me këto akuza, ka reaguar vetë Hyseni, i cili ka mohuar pretendimet e Bulliqit.

“Nuk është natyrën time të merrem me të tjerët, megjithatë jam i detyruar të reagoj pasi dje, unë dhe ekipi im, jemi apostrofuar si provomues të një fushate të ulët. Unë dua të siguroj të gjithë qytetarët e komunës së Podujevës dhe të Kosovës se unë dhe ekipi im gjatë tërë kohës kemi bërë një fushatë pozitive, të fokusuar në program dhe kemi dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve”, ka shkruar Huseni.

Ai tutje thotë se në takimet me qytetarët e Podujevës, asnjëherë nuk është marrë me kundërkandidatët e tij në garën për të parin e kësaj komune.

Një gjë të tillë ai thotë se e ka bërë vetë Bulliqi.

“Në rreth 600 takime me qytetarë anë e mbanë Llapit dhe Gollakut, asnjëherë nuk jemi marrë me kundërkandidatët. Për këtë mund të dëshmojnë afro 20,000 qytetarë që i kam takuar. Asnjëherë nuk jemi marrë me shpifje personale e as me blerje të votave. Asnjëherë nuk kanë qenë në fokus të fushatës sime kundërkandidatët, edhe pse kundërkandidati në fjalë qysh në adresimin e parë, në debatin e parë të fushatës, ka nisur me sulme ndaj integritetit tim dhe të familjes sime”, ka shkruar Hyseni.

Hyseni thotë se akuzat të cilat i ka bërë Bulliqi mbrëmjen e së mërkurës, po vijnë pikërisht pas rezultatit të zgjedhjeve në Podujevë.

“Integriteti i secilit prej nesh nuk ndërtohet gjatë fushatës zgjedhore por ndërtohet nga veprat tona gjatë tërë jetës. Për më tepër, akuzat e bëra mbrëmë nuk i kemi dëgjuar para publikimit të rezultatit të votimit në komunën e Podujevës. Viktimizimi i bazuar në shpifje nuk duhet të jetë arsyetim për humbje të një gare të pastër dhe korrekte”, ka shkruar Hyseni.

Bulliqi të mërkurën ka publikuar në Facebook disa fotografi të një çifti, nën pretendimet se kandidati i LDK-së dhe ekipi i tij po i përdorin për të ia cenuar integritetin moral, familjar e intelektual.

“Të dashur qytetarë, më poshtë po i postoj fotot me të cilat javët e fundit ekipi i Ekrem Hysenit në mënyrën më të ulët u perpoq të më cenojnë integritetin tim moral, familjar e intelektual. Kjo është fushata që po e bën Ekrem Hyseni me ekipin e tij. Kjo është fushata e doktorit, që e ka plot gojën humanizëm, e që e ka dhënë edhe betimin e Hipokratit”, ka shkruar Bulliqi.

Ndryshe, Ekrem Hyseni dhe Shpejtim Bulliqi do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Podujevës.

Hyseni ka marrë 16 mijë e 451 vota, apo 44.30%, ndërsa Bulliqi 16 mijë e 338 vota, apo 44.00%.

(Kosova Sot Online)