Arrestohet ish-punonjësi i AKI-së, dyshohet se zbuloi informacione që rrezikuan sigurinë e Kosovës
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka arrestuar një ish-punonjës të AKI’së me inicialet M.K, nën dyshimin se ka zbuluar informacione që kanë rrezikuar sigurinë e vendit.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Prokuroria ka bërë me dije se ai dyshohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, keqpërdorim të informatës zyrtare, hyrje në sistemet kompjuterike, zbulim të informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtje e informacioneve të klasifikuara dhe fotografim e incizimet tjera të paautorizuara.
“…sot është arrestuar dhe ndaluar personi me inicialet M.K., ish-punonjës i AKI-së, pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti, në cilësinë e personit zyrtar, ka vepruar me motive të dyshimta, duke keqpërdorur pozitën zyrtare dhe zbuluar informacion të klasifikuar, andaj me këto veprime dyshohet se personi i lartcekur ka cenuar sigurinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Komunikata e plotë:
Ndalohet një person për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, keqpërdorim të informatës zyrtare, hyrje në sistemet kompjuterike, zbulim të informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtje e informacioneve të klasifikuara dhe fotografim e incizimet tjera të paautorizuara
Prishtinë, 21 tetor 2021– Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, me aktvendim të prokurorit të shtetit ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personin me inicialet M.K., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Zbulimi i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” dhe “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, të parapara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas një bashkëpunimi ndërmjet AKI-së dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, po ashtu në koordinim edhe me Policinë e Kosovës, sot është arrestuar dhe ndaluar personi me inicialet M.K., ish-punonjës i AKI-së, pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti, në cilësinë e personit zyrtar, ka vepruar me motive të dyshimta, duke keqpërdorur pozitën zyrtare dhe zbuluar informacion të klasifikuar, andaj me këto veprime dyshohet se personi i lartcekur ka cenuar sigurinë e Republikës së Kosovës.
Ndaj të njëjtit, ju njoftojmë se do të ndërmerren veprime të tjera procedurale.
(Kosova Sot Online)