I akuzuari për vrasjen e vëllait rreth disa bagëtive deklarohet i pafajshëm në gjykatë

  • G.g /
  • 26 October 2021 - 12:57
I akuzuari për vrasjen e vëllait rreth disa bagëtive deklarohet i pafajshëm në gjykatë

Januz Gashi ka mohuar se më 12 qershor të këtij viti, në oborrin e shtëpisë së tij, pas një mosmarrëveshje rreth disa bagëtive ka privuar nga jeta vëllain e tij H.G, i moshës 65 vjeçare dhe ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve Afrim dhe Atdhe Gashi.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka, i akuzuari Gashi nuk e pranoi fajësinë për vrasje të rëndë. Ndërsa ai u deklarua fajtor për armëmbajtje pa leje.

“Ndjehem i pafajshëm”, tha i akuzuari duke u përgjigjur rreth akuzës për vrasje të rëndë.

Në këto rrethana, gjykatësi Nikollë Komani tha se nuk kemi pranim të tërë të fajësisë për veprat që i vihen në barrë dhe se gjykata merr vendim që shqyrtimi gjyqësor do të vazhdojë me procedurë të provave për të dy veprat penale.

Më pas, me pajtimin e të akuzuarit Gashi, avokatit të tij mbrojtës Sokol Dobruna, të dëmtuarit Afrim Gashi dhe prokurorit Ali Uka, u vendos që seanca e shqyrtimit të dytë të mos mbahet për shkak të ekonomizimit të procedurës, mirëpo mbrojtja ka të drejtë që me shkrim të parashtrojë kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se më 12 qershor 2021, rreth orës 21:25, në fshatin Sopniq të Rahovecit, i akuzuari Januz Gashi, në oborrin e shtëpisë së tij, pas një mosmarrëveshje rreth disa bagëtive ka privuar nga jeta vëllain e tij H.G, i moshës 65 vjeçare dhe ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve Afrim dhe Atdhe Gashi.

Sipas aktakuzës, vrasja ka ndodhur në atë mënyrë që viktima së bashku me dy djemtë e tij shkojnë në oborrin e të akuzuarit për t’ia dërguar bagëtinë dhe aty pas një fjalosjeje të castit i akuzuari Januz e nxjerrë një revole nga xhepi i djathtë i pantallonave dhe atë të tipit “Zoraki M916-B”, e me të njëjtën shtën disa herë në drejtim të tani të ndjerit, i cili në ikje e sipër qëllohet me dy të shtëna, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 dhe 1.5 të KPRK-së. Kjo vepër dënohet jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Ai po ngarkohet edhe për mbajtjen pa leje të armës së lartcekur, me cka po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së. Kjo vepër dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë vjet.

(Kosova Sot Online)