Qeverisja e Zaevit

  • E. /
  • 01 November 2021 - 08:20
Qeverisja e Zaevit

Kryetari i Lidhjes-Social Demokrate, Zoran Zaev, në postin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për herë të parë u zgjodh më 31 maj të vitit 2017 pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që ishin mbajtur në vitin 2016.

Ai në krye të qeverisë u zgjodh me votat e të gjitha partive politike shqiptare pasi LSDM në zgjedhje ishte mundur nga VMRO-DPMNE me rezultat të ngushtë apo me një dallim prej dy mandateve të deputetëve.

Gjatë këtij mandati Zaev mori përsipër vendime të rëndësishme, siç është ai me Greqinë për ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë së Veriut, e cila deri para Marrëveshjes së Prespës së arritur më 17 qershor 2018 quhej “Republika e Maqedonisë”.

Pavarësisht kritikave të shumta në opinion lidhur me këtë marrëveshje, por edhe negociatave më pas me Bullgarinë për marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, që po ashtu konsiderohet si e dëmshme për interesat kombëtare maqedonase, Zoran Zaev fiton edhe zgjedhjet e rregullta parlamentare, që u mbajtën në qershor të vitit 2020.

Edhe në këto zgjedhje, partia e socialdemokratit, Zoran Zaev fitoi me rezultat të ngushë dhe ishin sërish partitë shqiptare, që i mundësoi formimin e Qeverisë së re.

Zaev pas disfatës së partisë së tij në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 17 tetor kishte paralajmëruar dorëheqjen nëse partia e tij humb zgjedhjet në raundin e dytë, në veçanti në Shkup./REL

(Kosova Sot Online)