Gjashtë dallimet e pushtetit të Kurtit për arsimin e lënë pas dore

  • G.g /
  • 03 November 2021 - 14:13
Gjashtë dallimet e pushtetit të Kurtit për arsimin e lënë pas dore

Një prej sferave më të ndjeshme e ndër më shqetësueset në shoqërinë kosovare vazhdon të mbetet sektori i Arsimit.

Dy dekada pas luftës, ka probleme themelore, ndërsa cilësia lë shumë për të dëshiruar.

Mjafton të kujtojmë Testin Pisa, ku nxënësit kosovarë janë ndër më të dobëtit.

Investimet nuk kanë munguar, por rezultatet mbesin të dobëta.

Gjatë viteve të fundit thuajse të gjitha qeveritë në vend e kanë prioritizuar arsimin si një faktor gjithmonë e më të rëndësishëm në agjendat e tyre, megjithatë sfidat në këtë drejtim po vazhdojnë, shkruan Syri.net Kosova.

E duke qenë se kjo çështje ka nevojë për një vëmendje serioze në mënyrë që ky sistem të reformohet në të mirën e të rinjve kosovarë, ende nuk dihen ndryshimet të cilat Qeveria Kurti do t’i sjell për ta përmirësuar gjendjen.

Nuk mjaftojnë vetëm fondet

Njohësi i çështjeve arsimore në vend, Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard”, në një prononcim për Syri.net Kosova shprehet se ndryshimet në arsim kërkojnë një vullnet të fuqishëm politik në mënyrë që të ketë ndryshime rrënjësore, por, jo gjithmonë dështimi në arsim është i ndërlidhur me fondet e ndara për këtë sektor.

“Ndryshimet në arsim kërkojnë vullnet të fuqishëm politik për ndryshime rrënjësore që edhe mund të kenë kosto politike por në thelb janë në shërbim të një të ardhme më të mirë për të rinjtë në vend. Rritja e buxhetit për arsim është sinjal i mirë që shpresojmë të të kthehet në përfitim për të gjithë aktereët e përfshirë në arsim. Mirëpo në të njëjtën kohë duhet të rikujtojnë Qeverinë që dështimi në arsim nuk është jashtëzakonisht shumë i ndërlidhur me buxhet, por me mungesën e llogaridhënies brenda sistemit”, shprehet Qehaja.

E pozitive punën e Qeverisë Kurti po e sheh, Gramos Buçinca nga “ORCA”- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim.

Megjithatë, sipas tij, ka ende çështje të cilat po mbesin prapa dhe të mangëta.

Qasje e re politike

Nga ana tjetër, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherish anëtar në Komisionin për Arsim, Fitim Uka, thotë se qeverisja e tyre dallon shumë me qeverisjet e kaluara sa i përket qasjes në arsim.

Uka tutje rendit gjashtë fokuset kryesore të qeverisjes së tyre.

“Në qasjen në raport me arsimin, kjo qeverisje dallon shumë nga qeverisjet e kaluara. E para, fokusin e ka në edukimin e hershëm, aty ku nis e ndërtohet personaliteti. E dyta, mbështetja e madhe për vajzat e gratë në arsim, nuk është parë në asnjë qeverisje të kaluar. E treta, kemi arsim publik të lartë pa pagesë për herë të parë. E katërta, politikbërja në arsim është e mbështetur në hulumtim, në të dhëna dhe fakte. E pesta, ka me shumë bursa dhe subvencione. E gjashta, ka fokus në shkencë e teknologji”, shprehet Uka për Syrin.

Ai thotë se për herë të parë po merr fund rënia e lirë në politikbërjen në arsim.

“Tash, ka masa dhe veprime që janë të mirëmenduara dhe efekti shihet tash, por do të ndjehet edhe më shumë pas disa vitesh”, nënvizon deputeti.

Në lidhje me ndryshimet që kjo qeveri mund të sjell në sistemin arsimor, Syri ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), por të njëjtit deri në publikimin e këtij shkrimi nuk janë përgjigjur.

Kujtojmë se nga buxheti i vitit fiskal 2022, për MASHTI-n janë paraparë të ndahen mbi 22 milionë euro. 

(Kosova Sot Online)