Ndryshe nga BE-ja, Britania e Madhe i jep mbështetje qeverisë për Vettingun

  • E. /
  • 04 November 2021 - 12:17
Ndryshe nga BE-ja, Britania e Madhe i jep mbështetje qeverisë për Vettingun

Ambasada britanike në Kosovë i ka dhënë mbështetje qeverisë së Kosovës për procesin e Vettingut, përkundër kritikave të BE-së në Raportin e fundit për Kosovën.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në llogarinë e saj në Facebook ka rishpërndarë postimin e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me fillimin e punës në hartimin e amendamenteve kushtetuese për Vettingun.

Në postimin e ambasadës thuhet se do ta përkrahin procesin e Vettingut dhe do të vazhdojnë të jenë partner i qeverisë.

“Ne mirëpresim takimin e sotëm të Kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në fillimin e punës për amandamentet kushtetuese lidhur me procesin e Vettingut. Ne e kemi përkrahu iniciativën nga fillimi dhe do të vazhdojmë të jemi partner për qeverinë përderisa bën progres”, thuhet në postimin e Ambasadës.

Komisioni Evropian në raportin e fundit të vitit 2021 për Kosovën vlerëson se sa i përket disa opsioneve që qeveria Kurti ka propozuar lidhur me procesin e vetting-ut siç është rivlerësim i plotë dhe i njëhershëm i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz.

“Qeveria e re ka shqyrtuar disa opsione për një proces për ‘vetting’ të gjyqësorit dhe prokurorisë. Në këtë kontekst, prezantimi i mundshëm i një rivlerësimi të plotë të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Një proces i tillë do të duhej të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme e mjetit të fundit, pasi të jenë shteruar të gjithë mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar integritetin dhe për të luftuar korrupsionin e titullarëve të detyrave gjyqësore, dhe do të duhej të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe me këshillat e Komisionit të Venecias”, thuhet në raportin e KE.

(Kosova Sot Online)