Tomë Gashi përmend emrat e Thaçit e Veselit në rastin e Astrit Deharit
Avokati Tomë Gashi, ka ndjekur rastin e Astrit Deharit për së afërmi dhe njëkohësisht është edhe avokat i familjes Dehari, e cila kërkon drejtësi për zbardhjen e rastit.
Gashi ka treguar në një postim në Facebook, gjithë historinë e ngjarjes që nga fillimi i protestave kundër Demarkacionit dhe “Zajednicës” e deri tek hetimet për vdekjen e Astritit.
“Prokuroria nuk kishte guxim as t’i ftonte në cilësi të dëshmitarëve Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, të cilët publikisht në media deklaruan se Astrit Dehari është vrarë”
Mes tjerash, Gashi shkroi se Familja Dehari dhe ai janë të bindur se Instituti Zviceran, me ekspertizën shtesë do të konfirmoi ekspertizën e tyre të mëhershme të vitit 2019, me të cilën është eliminuar “teoria e vetëvrasjes” dhe është identifikuar ADN e personave të tretë (tjerë).
“Ndërsa ata që ishin në institucione e që e fshehën vrasjen e Astritit për 5 vite, Prokuroria fare lehtë mund t’i identifikoj, ngase tani prokurorët më lirshëm mund të punojnë Prokuroria nuk kishte guxim as t’i ftonte në cilësi të dëshmitarëve Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, të cilët publikisht në media deklaruan se Astrit Dehari është vrarë”, shprehet ai.
Postimi i plotë i Gashit:
“PSE U VRA ASTRIT DEHARI?
Ishte viti 2015 dhe LËVIZJA VETËVENDOSJE si opozitë kishte nisur një kundërshtim të ashpër kundër dy marrëveshjeve të pozitës së asaj kohe: Demarkacioni dhe Zajednica.
Pas shumë protestave të cilat pozita i shndërroi në të dhunshme, Astrit Dehari si aktivist i LËVIZJES VETËVENDOSJE kishte luajtur një rol të rëndësishëm si student i mjekësisë, duke i ndihmuar aktivistët e LËVIZJES të cilët ishin lënduar gjatë protestave.
Pushteti i atëhershëm nuk ia fali këtë, dhe më 4 Gusht 2016, inskenoi rastin e gjuajtjes me granatahedhës të ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës në atë kohë arrestoi disa të dyshuar, por sipas Prokurorisë ata nuk ishin aktivist të LËVIZJES VETËVENDOSJE dhe në mungesë të provave ata u liruan.
Shënjestër u bë LËVIZJA VETËVENDOSJE dhe aktivistët e saj.
Më 30 Gusht 2016 u arrestua Astrit Dehari së bashku me 5 aktivistë të tjerë të LËVIZJES VETËVENDOSJE.
Astrit Dehari u dërgua në qendrën e paraburgimit në Prizren, ku qëndroi për 78 ditë, pa u marrë në pyetje asnjëherë as nga Policia dhe as nga Prokuroria.
Astrit Dehari më 5 Nëntor të vitit 2016, teksa ishte në qelinë e tij A3, u gjet i lënduar rëndë, dhe mjeku i cili e kontrolloi, konstatoi se ai ishte gjallë në momentin kur arriti urgjenca në qeli.
Nga qendra e paraburgimit në Prizren, Astriti u dërgua me automjet të urgjencës, në të cilin ishin oficer të burgut, dhe u dërgua pa shenja jete në spital.
Kryeprokurori i atëhershëm manipulonte se kinse Astriti ka vdekur në spital, edhe pse kjo demantohej nga raporti mjekësor i Spitalit Rajonal të Prizrenit.
Kryeprokurori i atëhershëm manipulonte edhe me ekspertizën e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë – ku dhe tentoi që rastin ta mbyllte si vetëvrasje në afat rekord prej 13 ditësh, e që me siguri ishte i shtyer nga dikush që vetem ai e din.
Se Astrit Dehari ishte vrarë nuk kishte asnjë dyshim.
Në trupin e tij ishin shenja të qarta të ushtrimit të dhunës fizike që nuk mund të ishin bërë vetëm nga një person.
Vrasjen e Astritit e kanë konfirmuar edhe ekspertet e pavarur Dr. Besim Ymaj dhe Dr. Besim Latifaj te cilet konstatuan se ne trupin e Astritit kishte shume plage vetembrojtese, te cilat jan terme mjekesore e qe ne terma juridike eshte VARSJE.
Ekspertiza e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, në Shtator të vitit 2019, eliminoi edhe teorinë e vetëvrasjes dhe konstatoi se Astrit Dehari është vrarë dhe janë gjetur edhe gjurmë të ADN-së të personave të tjerë.
Një vit më parë, ekspertët zvicëran erdhën në Kosovë dhe morën prova të tjera për të përgatitur ekspertizë shtesë, për të sqaruar rrethana të tjera të cilat do të duhet të ndihmojnë në identifikimin e vrasësve; E vrasësit duhet të identifikojnë shtytësit në vrasje. Ndërsa ata që ishin në institucione e që e fshehën vrasjen e Astritit për 5 vite, Prokuroria fare lehtë mund t’i identifikoj, ngase tani prokurorët më lirshëm mund të punojnë.
Prokuroria nuk kishte guxim as t’i ftonte në cilësi të dëshmitarëve Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, të cilët publikisht në media deklaruan se Astrit Dehari është vrarë.
Familja Dehari dhe unë jemi të bindur se Instituti Zviceran, me ekspertizën shtesë do të konfirmoi ekspertizën e tyre të mëhershme të vitit 2019, me të cilën është eleminuar “teoria e vetëvrasjes” dhe është identifikuar ADN e personave të tretë (tjerë).
Prokuroria duhet të hetoi se ADN e kujt është gjetur, e që janë vrasësit e Astrit Deharit, ndërsa për shtytësit në vrasje dhe ata që e fshehën vrasjen deri më tani, Prokuroria duhet t’i identifikoi me emra dhe me mbiemra dhe të nxjerrë aktvendim për zhvillim të hetimeve, për vrasjen e Astrit Deharit.
Prokuroria asnjëherë nuk u morë me rrethana të vdekjes së dyshimtë të Naser Makollit, për të cilin familja e tij thotë se është vrarë, për shkak se i dinte rrethanat e vrasjes së Astrit Deharit, e i cili për 78 ditë ishte në të njejtën qeli me Astrit Deharin në burgun e Prizrenit. Dhe i njejti, për çudi, pas vrasjes së Astrit Deharit, nga burgu i Prizrenit u transferua në burgun e Lipjanit, por me gardian të njejtë të burgut të Prizrenit ,e të cilit 4 muaj pas vrasjes së Astritit, çuditërisht iu përkeqësua gjendja shëndetësore në burg, dhe i cili poashtu i gjallë, u dërgua nga burgu i Lipjanit dhe i vdekur arriti në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Lipjan.
PROKURORIA TË PËRGATITET PËR ARRESTIME !!!
(Kosova Sot Online)