Qytetarët tregojnë nëse do të dalin të votojnë për balotazh
Kanë mbetur edhe një javë deri te gara e balotazhit për kryetar të komunave në Kosovë.
Në 21 komuna do të votohet për herë të dytë pasi fituesi nuk arriti të caktohet në raundin e parë më 17 tetor.
Qytetarët shprehen të gatshëm që të dalin serish për të votuar, por edhe për t’iu përmbajtur rregullave antiCOVID-19.
Sheremet Fushtica thotë se ai ka votuar në raundin e parë dhe serish do të dalë për të hedhur votën më 14 nëntor. Ai ndërkaq shprehet kritik sa i përket zbatimit të masave antiCOVID gjatë fushatës nga ana e partive politike.
“I kam dëgjuar pak në televizion të LDK-së, PDK-së domethënë e LDK-së nuk është të hidhet poshtë, është i aftë, i shkolluar. Po, kam votuar dhe do të votoj prapë më 14… Hiq, aspak zero, zero tubime kanë pas brenda, masat nuk janë respektuar e për popull nëse të zënë jashtë të dënojnë qysh, e ata 300-400 vetë brenda në ambiente të mbyllura. Jo, nuk i kanë respektuar masat, asnjë jo vetëm një parti, por asnjë parti në përgjithësi”, ka thënë Fushtica.
Gëzim Mehmet nga Vushtrria, komunë kjo e cila do të jetë pjesë e garës së balotazhit, tregon se do të dalë serish për të votuar.
“Super gjithsecili e din super, shumë të mira, kemi votuar, kismet do të votojmë prapë gjithë. Në përgjithësi po respektohen masat”, ka thënë ai.
Edhe Zijadin Salihu nga Gjilani thotë se do të dalë për të votuar, ndërsa shprehet kritik sa i përket zbatimit të masave antiCOVID-19 nga subjektet politike gjatë fushatës elektorale.
“Mjaft të kënaqur jemi, shpresoj që kësaj radhe pak ma shumë jemi me të kënaqur me përpara, shpresoj më mirë. Kam votuar, gjithsesi do votojë prapë. Shumë pak janë duke u respektuar, me thënë hiq pak shumë për Gjilan po flas”, tha ai.
Njëra nga komunat që nuk do të jetë pjesë e pjesë e balotazhit është ajo e Mitrovicës së Jugut, ku kryetari i deritanishëm Agim Bahtiri humbi në raundin e parë nga Bedri Hamza.
Enver Hasani nga Mitrovica thotë se humbja e kryetarit të deritanishëm në raundin e parë tregon për problemet e shumta që ka Mitrovica.
“Tash në këtë mandat të fundit nuk janë thuajse as 50%, në mandatet e kaluar kryetari ka punuar mirë nuk mundem me thanë keq, sepse ka qenë shumë katastrofë në Mitrovicë si me njohësi, si me dallavere, si me të gjitha e ky i ka ndalë disa të këqija. Po tash me këtë të fundit jo bash ashtu për vete po flas, nuk mund të jem i kënaqur”, tha ai.
Ndryshe, IKSHPK para garës së balotazhit kërkon nga qytetarët që të respektojnë të gjitha masat sipas vendimeve të Qeverisë së Kosovës.
“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mos grumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19”, thekson IKSHPK.
(Kosova Sot Online)