Valë e re arrestimesh nga Specialja?

  • G.g /
  • 10 November 2021 - 13:43
Valë e re arrestimesh nga Specialja?

Është bërë një vit që kur institucioni i Dhomave të Specializuara në Hagë, arrestoi disa nga ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Sali Mustafa, po përballen me aktakuzën për veprat penale të kryera gjatë periudhës së luftës e deri në fund të vitit 2000.

Ata akuzohen nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar me 6 akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Kurse, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati sipas aktakuzës, së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm). Gucati dhe Haradinaj gjithashtu bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Goditja e re ka me ardhë shpejt. Kanë me u ngritë aktakuza, kanë me u marrë njerëz në paraburgim dhe do të përballen me drejtësinë. Kjo është rruga që po kalon Kosova”

Në aktakuzën e konfirmuar nga Gjykata Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë publikuar edhe emra të zyrtarëve të tjerë të UÇK-së. Fatmir Limaj, Azem Syla, Lahi Brahimaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Emrat e tyre konsiderohen të jenë “pjesë e grupit kriminal”.

Sipas Speciales, disa prej tyre nuk ishin anëtarë të “ndërmarrjes kriminale, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes për të kryer krime”.

Por, ndonëse janë përmendur në aktakuzë, ndaj Limajt, Sylës, Brahimajt, Selimit, Mustafës, Bujës, Gasht e Gecit, ende nuk ka filluar ndonjë proces gjyqësor.

Zyra për informim të Prokurorit të Specializuar Dhomave të Specializuara, të cilët kanë thënë që nuk i komentojnë ato që fliten për aktivitetet e saj.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk komenton spekulimet për aktivitetet e saj”, ka thënë Chris Bennett zëdhënës i kësaj zyreje .

Kujtojmë se nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri kishte deklaruar se një goditje e re nga Gjykata Speciale do të vijë së shpejti.

“Goditja e re ka me ardhë shpejt. Kanë me u ngritë aktakuza, kanë me u marrë njerëz në paraburgim dhe do të përballen me drejtësinë. Kjo është rruga që po kalon Kosova”, ishte shprehur ai.

(Kosova Sot Online)