Sali Berisha: Do të kthehem si kryeministër
Në një konferencë për mediat, ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, me 4,200 firmat e mbledhura për të thirrur Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike mbi tavolinë, u shpreh se do të kthehet jo vetëm si kryetar i PD-së, por edhe si kryeministër i Shqipërisë
Ai njoftoi se Floriana Garo do të jetë drejtoresha e Komunikimit të nismës që ai e cilësoi si historike.
“Prej më shumë se një muaji mori jetë në një moment kritik të historisë së pluralizmit lëvizja e një grupi deputetësh, drejtues qendrorë e lokalë të PD, me qëllimin më madhor, ringritjen e PD, shndërrimin e saj në një forcë vigane opozitare dhe me mision çmontimin e narko shtetit, rikthimin e Shqipërisë në rrugën e demokracisë. Ky proces ka një kusht, para së gjithash dhe mbi të gjithash shndërrimin e PD në një forcë të vlerave konservatore në Shqipëri”, tha Berisha.
Berisha tha se “Foltorja” sot është kthyer në një dritë shprese dhe i vetmi zë ku demokratët po besojnë. Sipas tij kjo lëvizje është për të kthyer PD-në atje ku duhet, për ta bërë një forcë të vërtetë opozitare dhe konkurruese për të qenë në qeveri.
“Ju jeni dëshmitar se si kreu i meduzës, Edi Rama, me gjithë enturazhin e tij të krimit dhe të drogës, arriti të shuajë opozitarizmin në Shqipëri. Arriti të shndërrojë PD-në në një parti që u largua këto 8 vite nga vlerat e saj themelore, nga parimet e saj dhe që solli pasoja katastrofale që është mandati i tretë i Ramës. Nuk mund të mohohet se rol në këtë gjë ka luajtur dhe Xhorxh Soros me mafien e tij, armik i egër i konservatorizmit. Ai bëri gjithçka që në këtë vend të kthehej monizmi. Rama sot ka 10% më shumë pushtet se Ramiz Alia në 1991.
Kjo përballje e suksesshme, kjo lëvizje që tronditi Shqipërinë dhe u shndërrua në dritën e fundit të tunelit ku ishin futur shqiptarët, është pas asaj të 1991 lëvizja e dy më historike. Ju jeni dëshmitarë të përpjekjeve djallëzore të qeverisë dhe aleatëve të saj që të ndaloj në këtë lëvizje, me deklarata absurde me qëndrime anti-demokratike, por të gjithë dështuan. “Foltorja” kaloi nga suksesi në sukses, kaloi si dritë shprese, nga shpirti në shpirt.
Kush e mendonte nga ju këtë dy muaj më parë, unë nuk e mendoja. Po pse ndodhi kjo, pse kjo pritje e jashtëzakonshme e kësaj lëvizje, pse kjo lëvizje u shndërruar në magnet të rinisë shqiptare. Pse vajzat dhe gratë u shndërruan në mbështetës kryesor të saj. Që të gjithë shohin tek foltorja burimin e shpresës, shohin shpërthimin e energjive, shohin dritën drejt ngritjes dhe fitores. Nuk mund ta mohoj se shohin tek Sali Berisha një potencial të atillë që të bëjë të harrohet Berisha i dytë”, u shpreh ndër të tjera Berisha.
(Kosova Sot Online)