Voton Alban Hyseni: Gjilani çdoherë ka shprehur një kulturë të lartë zgjedhore
Të drejtën për votë tashmë e ka shfrytëzuar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Komunën e Gjilanit, Alban Hyseni.
Hyseni ka votuar në shkollën “Abaz Ajeti”, ku për koincidencë çdoherë voton edhe kandidati i LDK-së për Gjilanin, Lutfi Haziri.
Hyseni tha se shfrytëzoi kohën që të votojë derisa bëri thirrje për qytetarët për të shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese në mënyrë që të jenë pjesë e procesit të votimit për të ndikuar apo ndryshuar vendimin apo bindjen e tyre politike cilado qoftë ajo.
“Është e rëndësishme që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë masive, kjo s’nënkupton që qytetarët të votojnë për njërin apo tjetrin, por të shprehin bindjen për cilindo kandidatë që ata besojnë. Mesa kam informacion nuk ka ndonjë parregullësi, në të njëjtën kohë besoj se është vërejtur që Anamorava në përgjithësi, por edhe Gjilani më saktë ka shprehur çdoherë një kulturë të lartë zgjedhore e kjo po dëshmohet besoj edhe në këtë proces zgjedhor”, tha ai.
Hyseni është kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, i cili çoi këtë komunë në balotazh pas një periudhe të gjatë të drejtimit nga LDK-ja.
(Kosova Sot Online)