Të maskuar e të armatosur plagosën babë e bir, detaje për tentim grabitjen në argjendarinë në Prizren

  • E. /
  • 16 November 2021 - 10:03
Të maskuar e të armatosur plagosën babë e bir, detaje për tentim grabitjen në argjendarinë në Prizren

Dy persona kanë mbetur të plagosur pasditen e së hënës në Prizren, si pasojë e të shtënave në argjendarinë e tyre, nga tre persona të cilët kishin hyrë për të grabitur.

Pasditen e së hënës, tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në një argjendari në Prizren, ku kanë tentuar të grabisin stoli ari.

Të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të pronarit te argjendarisë dhe djalit të tij, të cilët kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave.

Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes me një veturë.

Ndërkaq viktimat janë dërguar për tretman mjekësor në spitalin e Prizrenit dhe sipas mjekëve gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë.

“Prizren, 15.11.2021 – 17:02. Është raportuar se tre persona të panjohur të maskuar dhe armatosur kanë tentuar të kryejnë grabitje në një argjendari. Të dyshuarit kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë,  pronarit të lokalit dhe djalit  të tij,  të cilët si pasoj e të shtënave nga arma janë plagosur. Të dyshuari nuk kishin arritur ta kryenin grabitjen dhe më pas me një veturë janë larguar nga vendi i ngjarjes. Viktimat janë dërguar në spitalin e Prizrenit për tretman mjekësor dhe sipas mjekëve gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, ka bërë të ditur policia.

Të dyshuarit ende nuk janë arrestuar, ndërkaq policia ka njoftuar se janë duke u bërë hetime intensive lidhur me këtë rast.

“Njësitë  relevante të policisë dhe  prokurori i shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes  dhe në lidhje me rastin janë duke u zhvilluar hetime intensive nga të gjitha njësitë relevante”, ka bërë të ditur policia.

(Kosova Sot Online)