Ish-sekretari i LPK-së: Për emërtimin e UÇK-së kemi vendosur më 1994, emblema u krijua 4 vjet më pas
Emrush Xhemajli, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës, ka thënë se 17 nëntori i vitit 1994 ka qenë datë kthese për çlirimin e Kosovës.
Në këtë ditë, Kryesia e LPK-së kishte marrë vendim që organizimi ushtarak popullor të emërtohej si Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Ai ka thënë se për këtë ka pasur disa propozime të ndryshme por që në fund kryesia ka vendosur për akronimin UÇK.
“Në këtë datë më, 17 nëntor 1994, pas shumë konsultimeve të mëhershme, aksioneve të strukturës së paemërtuar ushtarake të popullit tonë, Kryesia e LPK-së edhe pas vendimeve që kishte marrë më herët është mbledh dhe ka emërtuar strukturën me UÇK”, është shprehur Xhemajli.
“Kanë qenë anëtarët e kryesisë kanë marr pjesë në mbledhje. Vendimi ka qenë unanim i kryesisë. Ka qenë vendim i LPK-së pas debateve dhe konsultave të gjata që janë bërë. Nuk ka qenë vendim i lehtë”.
Xhemjali në Info Magazine ka treguar se emblema e UÇK-së është krijuar 4 vjet pas emërtimit, pra në periudhën janar-shkurt 1998.
(Kosova Sot Online)