Dëshmitarja kundër Mustafës në Hagë thotë se ka marrë pjesë në një zhvarrim në Zllash
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar për sot seanca gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Është dëgjuar dëshmitarja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), dëshmia e së cilës në pjesën më të madhe të seancës ka vijuar e mbyllur për publikun. Kryetarja e trupit gjykues ka thënë se seanca do të vazhdojë nesër me të njëjtën dëshmitare të mbrojtur.
Dëshmitarja, e cila mban kodin W04676, në seancë publike ka thënë se ka qenë pjesë në një zhvarrim në fshatin Zllash.
Në seancën e sotme ajo ka thënë se kanë shkuar në një mal në thellësi të fshatit, së bashku me babanë e viktimës, për ta zhvarrosur atë.
Identiteti i saj nuk është i ditur për publikun sikurse roli i saj në ngjarjen e zhvarrimit në të cilën pretendon se ka qenë prezent.
Pyetjet e mbrojtjes së Mustafës kanë vijuar tërësisht të mbyllura, sikurse ato shtesë nga prokuroria.
Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.
Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendime për krime lufte.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.
(Kosova Sot Online)