SBASHK-u në protesta masive nëse Ligji i Pagave nuk përfshihet në buxhetin e 2022-tës
Mos-përfshirja e Ligjit të Pagave në projektbuxhetin e miratuar në parim nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere përgjatë ditës së mërkurë, ka ngjallur pakënaqësi tek sindikalistët.
Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), kanë paralajmëruar përshkallëzim të situatës në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje me Qeverinë për çështjen e Ligjit të Pagave.
Ymer Ymeri, koordinator i SBASHK-ut, ka thënë se paraprakisht është mbajtur takim me Qeverinë dhe se janë njoftuar që Ligji për Pagat nuk do të jetë pjesë e projektligjit për buxhetin e vitit 2021. I njëjti ka paralajmëruar protesta masovike përgjatë muajit dhjetor.
“Përpara mbajtjes së takimit të komisionit, SBASHK-u është ftuar që të mbajë takim me Qeverinë, andaj jemi njoftuar paraprakisht se Ligji për Pagat nuk do të përfshihet në projektbuxhetin e vitit 2022. SBASHK-u do të vazhdojë protestën më 4 dhjetor, kemi njoftuar edhe sindikatat e tjera si dhe Këshillin e Prindërve që t’iu bashkohen protestat. Nëse nuk reflektojnë, SBASHK-u pas dy javësh do t’ia mësyejë t’i mbledhë rreth 1,000 veta dhe të dalë në protestë”, ka deklaruar Ymeri për lajmi.net.
Ai ka paralajmëruar edhe futje në grevë, në rast se Qeveria nuk i merr parasysh kërkesat e sindikalistëve.
“Nëse sërish nuk reflektojnë, do të vazhdojmë me greva ku, rrjedhimisht do të bllokojë edhe fillimin e periodës së tretë”, ka shtuar ndër të tjera koordinatori i SBASHK-ut.
Karshi kësaj çështje, të indinjuar janë shprehur edhe sindikata e punonjësve shëndetësor, indinjatë kjo të cilën do ta përcjellin përmes protestës. Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka paralajmëruar bllokadë institucionesh shëndetësore në rast se nuk arrihet marrëveshja
“Nesër kemi mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe ata ndërmarrin hapat e vet, besoj që nesër do të marrim vesh pas mbledhjes. Ju e dini qëllimin tonë, nëse nuk ka bashkëpunim, nëse nuk procedohet Ligji i Pagave, atëherë më vjen keq por pritet të ketë greva”, është deklaruar ai.
Në fillim të këtij muaji punonjësit shëndetësorë dhe ata arsimor kanë protestuar para Qeverisë të Kosovës duke kërkuar barazi sociale përmes Ligjit të Pagave, duke thënë se kjo gjë i është premtuar më herët, por se janë mashtruar nga Qeveria.
Përgjatë ditës së mërkurë, në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, është miratuar në parim projektligji për buxhetin 2022, i cili do të jetë 2,7 miliardë euro.
Anëtarët e komisionit nga opozita kanë kritikuar mospërfshirjen e Ligjit për Pagat në këtë buxhet.
Deputeti Avdullah Hoti nga LDK-ja ngriti çështjen e shkurtimit të buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë, dhe ka pyetur ministrin Murati se a është buxhetuar Ligji për Pagat
Deputeti Pal Lekaj nga AAK kritikoi ministrin Murati për mos përfshirjen e Ligjit të Pagave dhe shkurtimin e buxhetit disa dikastere siç tha ai me rëndësi.
(Kosova Sot Online)