E rëndë/ 8 vjeçari mund të jetë abuzuar para vrasjes nga monstra dhe përdhunimi i disa viteve më parë

  • A.P /
  • 17 November 2021 - 21:27
E rëndë/ 8 vjeçari mund të jetë abuzuar para vrasjes nga monstra dhe përdhunimi i disa viteve më parë

Gazetarja e “ABC” Xhensila Kodra zbuloi detaje të reja nga krimi makabër që ndodhi pasditen e djeshme në Fier, ku një 38-vjeçar rrëmbeu dhe vrau me kazmë fqinjin e tij të mitur, 8-vjeç Mateo Vasiu. Prokuroria dyshon se i mituri mund të jetë abuzuar seksualisht nga Klodian Çalamani. “Nuk ka ende një përgjigje përfundimtare të ekspertizës nga mjekët e spitalit të Fierit, por dyshimet e policisë dhe prokurorisë janë nëse ka pasur një abuzim seksual. Është një dyshim, por nuk është një gjë e faktuar nga grupi hetimor” u shpreh gazetarja.

Vogëlushi dje nuk kishte shkuar në shkollë se vëllai i madh ishte me temperaturë dhe duhet të kujdesej për të, pasi prindërit ishin në punë. “Fëmija nuk ishte nisur në shkollë, mësimi do të ishte në mesditë. Ai ka edhe një vëlla tjetër 14-vjeç, më i madhi, por nuk ka shkuar dhe sipas të afërmve nuk do të shkonte në shkollë ditën e djeshme sepse vëllai i tij ishte me temperaturë dhe ishte i sëmurë. Prindërit kanë qenë në punë” tha Xhensila Kodra.

“Gjatë kohës që mendohet se ndodhi ngjarja e rëndë, vëllai i Mateos shkoi deri te porta e Klodianit por nuk është futur brenda. Nuk ka vënë re gjë. Për shkak të gjendjes së rënduar që ai ndodhet nuk është bërë e mundur që të merret edhe një dëshmi e tij” tha më tej gazetarja.

Krimi i djeshëm mund të ishte parandaluar nëse 15 vite më parë në vitin 2006 akuzat kundër Klodian Çalamanit, motrës së tij dhe xhaxhait të 8-vjeçarit nuk do të ishin zbutur dhe sfumuar për rrëmbimin dhe torturimin e një vajze 16-vjeçe. Nëse akuza do ishte kategorizuar në bashkëpunim dhe tentativë përdhunimi Çalamani do të kishte qëndruar 15 vite pas hekurave dhe jo 4 vite.

“Vepra penale 15 vite më parë mund të ishte kategorizuar në bashkëpunim, pasi ishin tre persona, Klodiani, xhaxhai i Mateos dhe motra e Klodianit, e cila ka dalë e larë derisa nuk ka asnjë ndjekje as procedim. Motra ishte ajo që futi në kurth vajzën 16-vjeçe. Por si Klodiani dhe Floriani kanë pasur një pëlqim ndaj vajzës 16-vjeçe, e kanë përndjekur, kanë shkuar në gjimnazin e saj ku studionte. Për mua është tentuar që të abuzohet me këtë vajzë, por kjo gjë është mbuluar nga prokurori dhe gjyqtari.

Nuk mund të them se ka diçka korruptive derisa nuk kemi një provë. Floriani është gjykuar dhe dënuar në mungesë me 4 vite për pengmarrje, por nëse edhe motra e Klodianit do të ishte në akuzë, do të shkonte deri në 7 vite për rrëmbimin, heqjen e lirisë e kryer në bashkëpunim dhe jo 4 vite.

Nëse do të shkonte akuza për tentativë përdhunimi akuza do të shkonte deri në 15 vite për Klodian Çalamanin. Por dëshmitë janë zbutur. Fillimisht babai i Mateos ka dëshmuar se aty nuk ka qenë prezent Klodiani, por vetëm vëllai i tij Floriani dhe ka dashur t’ja heq nga duart me argumentin se vetëm po e gjuante me një shpullë vajzën që rrëmbyen. 

Vajza ka dalë gjysmë e zhveshur nga banesa dhe bluza është hequr. Kur dy autorët kanë tentuar ta tërheqin ajo lëvizi duke ikur dhe jua la bluzën në dorë. Dhe mënyrë si është shprehur motra e Klodianit, i ka thënë “këto janë letrat e dashurisë që ka shkruar Klodiani për ty” që ta mbante sa më gjatë derisa të futeshin dy djemtë në banesë” tha gazetarja e “ABC”-së, Xhensila Kodra për ngjarjen e 15 viteve më parë që Klodian Çalamani arriti t’ia hidhte me vetëm 4 vite burg.


(Kosova Sot Online)