Jep dorëheqje kreu i AAK’së në Junik pasi humbi zgjedhjet
Kandidati i AAK’së për kryetar të Kamenicës në zgjedhjet lokale të këtij viti, Agron Kuçi, ka dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të AAK’së në këtë komunë pasi dështoi për të fituar mandatin e dytë si kryetar. Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Kuçi ka shpjeguar arsyet që e çuan drejt këtij vendimi.
Agron Kuçi humbi garën e balotazhit kundër kandidatit të LDK’së. Thotë se rezultati zgjedhor është përgjegjësi e tij, derisa ka uruar kundërkandidatin.
“Rezultati në zgjedhje, ekskluzivisht është përgjegjësi e imja dhe e askujt tjetër prandaj i vetëdijshëm për këtë, unë jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Degës së AAK- së, me qëllimin më të mirë që Dega të drejtohet nga një frymë e Re, e që jam i bindur se Degës sonë në Junik nuk i mungon, përkundrazi potenciali që e kemi ngritur bashkarisht është shumë i madh dhe qëndron në lartësinë e duhur’, shkroi Kuçi.
“Udhëheqjes së re të Komunës i dëshiroj punë të mbarë dhe suksese!”, theksoi ai.
Shkrimi i plotë i Kuçit:
Të dashur qytetarë të Junikut,
Bashkëvendas të respektuar!
Më lejoni që fillimisht të ju falënderoj për besimin që keni treguar me vite të tëra, në radhë të parë ndaj Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe mua si kryetar i Degës dhe kryetar i Komunës për 12 vjet me radhë, duke na bërë fitues (zgjedhje lokale dhe nacionale) në më shumë se 9 procese zgjedhore, pra, që nga viti 2009 e tutje!
Natyrisht se kjo besnikëri dhe punë e palodhshme e juaja e përshkuar me ndershmërinë më të lartë meriton konsideratën dhe respektin e përjetshëm. Prandaj nuk hezitoj ta them hapur se për të gjitha sukseset e arritura sot e 12 vjet për ta bërë Junikun tonë më të mirë e më të bekuar, ua dedikoj Juve, qytetarë të dashur, sepse e them pa modesti, ju jeni motivi dhe kryefjala e suksesit dhe të arritura të admirueshme të Komunës sonë të Re.
Rezultati i publikuar nga KQZ, tregon që ne nuk kemi fituar në garën për kryetar të Junikut. Ndaj, unë edhe njëherë dua t’i falenderoj nga zemra të gjitha strukturat drejtuese të Aleancës për punën dhe angazhimin e jashtëzakonshëm, aktivistët e simpatizantët tonë besnik, dhe gjithë qytetarët junikas, për kulturën e lartë dhe maturinë e treguar përballë një fushate të egër e linçuese ndaj meje dhe familjes sime. Koha ka për të dëshmuar këtë.
Faleminderit që na besuat votën tuaj, duke na konfirmuar edhe kësaj radhe si partia e parë në Junik, përkundër rezultatit në balotazh, të kampit rival, që ishin tri parti në koalicion të përbashkët (LDK, VV dhe PDK) përballë nesh, si parti e vetme!
Rezultati në zgjedhje, ekskluzivisht është përgjegjësi e imja dhe e askujt tjetër prandaj i vetëdijshëm për këtë, unë jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Degës së AAK- së, me qëllimin më të mirë që Dega të drejtohet nga një frymë e Re, e që jam i bindur se Degës sonë në Junik nuk i mungon, përkundrazi potenciali që e kemi ngritur bashkarisht është shumë i madh dhe qëndron në lartësinë e duhur.
Unë, ju siguroi se do të jemi si gjithnjë bashkë, sonte nesër e përgjithmonë në jetën përditshme, ne punë, në gëzime e hidhërime, dhe në proceset e sfidat e radhës!
Sepse Juniku ynë i zemrës qëndron mbi të gjitha.
Udhëheqjes së re të Komunës i dëshiroj punë të mbarë dhe suksese!
Zoti ruajt dhe bekoftë qytetarët dhe komunën e Junikut !
(Kosova Sot Online)