Sllovakia vendos izolimin për të pavaksinuarit

  • A.P /
  • 18 November 2021 - 18:50
Sllovakia vendos izolimin për të pavaksinuarit

Sllovakia do të vendosë masa më të rrepta për njerëzit që nuk janë vaksinuar kundër koronavirusit mes rritjes së infeksioneve dhe shtrimeve në spitale.

Vendimi është njoftuar nga kryeministri Eduard Heger në një konferencë për shtyp të transmetuar drejtpërdrejt në TV, raporton Guardian.

Masat hyjnë në fuqi të hënën dhe janë parashikuar për tri javë. Sipas rregullave të reja, vetëm personat që janë vaksinuar ose që kanë pasur Covid në gjashtë muajt e fundit do të lejohen të hyjnë në restorante, qendra tregtare, dyqane me mallra jo thelbësore, aktivitete sportive dhe ngjarje publike.

Masat vijnë pak ditë pas rregullave të ashpra të vendosura në Austrinë fqinje. Rregullat e reja përfshijnë detyrimin për të testuar personat e pavaksinuar në vendet e punës në të gjitha rajonet, më të prekura nga epidemia.

Vendi prej 5.5 milionë banorësh ka parë një numër rekord rastesh në ditët e fundit, duke arritur në 8,000 të martën, dhe tha në fillim të kësaj jave se kishte pak shtretër të kujdesit intensiv në dispozicion për pacientët me koronavirus.

Sllovakia ka një nga nivelet më të ulëta të vaksinimit në Bashkimin Evropian, me 45% të popullsisë totale të vaksinuar kundrejt mesatares së BE-së prej 65%. Ajo ka raportuar 13,725 vdekje që nga fillimi i pandemisë.

(Kosova Sot Online)