Çekia shënon rekord të rasteve me Covid-19
Republika Çeke të premten shënoi 22.936 raste të reja me Covid-19, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, të publikuara të shtunën. Kjo është shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë.
Këtë javë, shteti i Evropës Qendrore i ashpërsoi masat kufizuese për personat e pavaksinuar për ta nxitur vaksinimin dhe për ta lehtësuar barrën që po u bie spitaleve, shkruan Reuters
Qeveria çeke i ka miratuar planet për t’ua lejuar hyrjen në restorante dhe pjesëmarrjen në organizime të caktuara e shfrytëzim të disa shërbimeve vetëm personave të vaksinuar ose atyre që e kanë kaluar Covid-in në gjashtë muajt e fundit. Masat e reja do të hyjnë në fuqi nga e hëna.
Ndryshe, shumë shtete evropiane së fundi kanë shënuar rekorde të rasteve dhe kanë filluar t’i ashpërsojnë masat. Austria po shquhet ndër vendet që kanë nisur të marrin masa, pasi autoritetet e këtij vendi kanë vendosur për izolim kombëtar dhe po planifikon që vaksinimin ta bëjë të detyrueshëm për të gjithë banorët që i plotësojnë kushtet.
Kancelari austriak, Alexander Schallenberg, tha se qeveria e tij do ta shqyrojnë mundësinë që vaksinimi të bëhet i detyrueshëm nga shkurti i vitit të ardhshëm.
(Kosova Sot Online)