Blinken bisedon me kryediplomatin austriak për praninë e Perëndimit në Ballkan

  • E /
  • 30 November 2021 - 10:32
Blinken bisedon me kryediplomatin austriak për praninë e Perëndimit në Ballkan

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Linhart besojnë se nevojitet më shumë prani perëndimore në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kështu deklaroi për APA ministri Linhart pas një bisede telefonike me Blinkenin.

Ai theksoi se qasja e Ballkanit Perëndimor ndaj BE-së ishte temë e bisedës, në të cilën tha se Blinken e përshëndeti angazhimin e forcuar të Austrisë në rajon.

“Është në interesin tonë të përbashkët që BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të jenë të pranishme në rajon dhe të veprojnë në mënyrë të koordinuar”, tha Linhart.

Ndërkohë Blinken shkroi se Austria është partnere kyçe e SHBA-së.

“Një telefonatë e mirë sot me ministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Linhart për Bjellorusinë, Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor. Austria është një partnere kyçe dhe ne ramë dakord për rëndësinë jetike të marrëdhënieve transatlantike për sigurinë dhe prosperitetin e Evropës, SHBA-së dhe botës”, shkroi Blinken në Twitter.

Ai e falënderoi Austrinë për organizimin e konferencës së fundit për të ardhmen e Bjellorusisë dhe dy diplomatët vlerësuan se nuk duhet të dorëzohen para shantazhit të regjimit të Aleksandër Lukashenkos.

Blinken e falënderoi gjithashtu Austrinë për pritjen e bisedimeve mbi programin bërthamor të Iranit.

(Kosova Sot Online)