Lexoni edhe:
Aksident në Mitrovicë, njëra veturë përfundon në ajër ndërsa tjetra ka rënë në kanal të ujit
1 dhjetori shënon Ditën Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS. Thuajse në gjithë botën për 1 dhjetor organizohen aktivitete për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS-in, dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie.
Kampanja për vitin 2021 zhvillohet me moton “Fund pabarazive, fund AIDS-it”.
E që nga viti 1986 deri më tani në Kosovë janë raportuar 139 raste me HIV dhe AIDS. Numri më i madh i takon gjinisë mashkullore me 73 përqind. Si pasojë e infektimit me HIV/AIDS deri më tani kanë vdekur 50 persona.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) përgjatë një vit, pra gjatë 2021-ës janë raportuar 8 raste me HIV, prej tyre një fëmijë nën moshën 15-vjeç.
“Me 1 Dhjetor shënohet Dita Botërore e AIDS-it, ditë e cila në shumë pjesë të botës kalon duke mësuar dhe informuar popullatën lidhur me këtë sëmundje dhe njëkohësisht vazhdon të jetë një çështje me rëndësi globale e shëndetit publik. Kosova klasifikohet si vend me prevalencë te ulët të HIV-it në mesin e popullatës së përgjithshme dhe prevalencë të ulët në mesin e popullatës kyçe: meshkujt që bëjnë seks me meshkuj (MSM), personave që injektojnë droga (PID) dhe femrave punëtore të seksit (FSK). Të dhënat ekzistuese dëshmojnë se ne nuk kemi epidemi të gjeneralizuar apo të përqendruar të infeksionit HIV. Që nga viti 1986 deri me 1 dhjetor te vitit 2021, në Kosovë janë raportuar 139 raste me HIV dhe AIDS. Numri më i madh i takon gjinisë mashkullore (73%). Grup mosha më e atakuar është 25-34 vjeç (31%) dhe grup mosha 35-44 po ashtu 31%. Deri më tani 50 kanë vdekur si pasojë e AIDS-it. Në vitin 2021, janë raportuar 8 raste me HIV infeksion, prej tyre 7 janë nga komuniteti MSM dhe një fëmijë nën moshën 15 vjeç”, ka njoftuar IKShPK.
IKShPK ka publikuar edhe të dhëna që tregojnë se në fund të vitit 2020, 680.000 njerëz kanë vdekur si pasojë e shkaqeve që ndërlidhen me HIV, ndërsa 1.5 milionë të tjerë janë të infektuar.
Disa të dhëna të IKShPK-së:
• Në fund të vitit 2020 rreth 38 milion njerëz jetonin me HIV.
• Llogaritet se 1 në 5 njerëz që jetojnë me HIV nuk e dijnë se janë të infektuar.
• 79.3 milionë njerëz janë infektuar me HIV që nga fillimi i epidemisë. Deri tani nga HIV-i kanë ndërruar jetë 36.3 milion njerëz.
• Gjatë vitit 2020, kanë vdekur 680.000 njerëz si pasojë e shkaqeve që ndërlidhen me HIV, ndërsa 1.5 milion tjerë janë infektuar.
• Llogaritet se rreth 62% të infeksioneve të reja në mbarë botën i takojnë grup moshave 15-49 vjeç dhe grupacioneve të veçanta (narkomanët, punëtorët e seksit, transgjinorët, të burgosurit, meshkujt që kanë seks me meshkuj).
• HIV infeksioni është i pashërueshëm. Megjithatë, terapia efikase antiretrovirale mund ta kontrollojë virusin dhe të ndihmojë parandalimin e bartjes së infeksionit tek njerëzit tjerë. 73% e njerëzve që jetojnë me HIV morën terapi antiretrovirale (ART) në vitin 2020.
Mesazhet kryesore dhe thirrja për veprim:
• Përtëritja e luftës për t’i dhënë fund AIDS-it; është koha për të investuar, përtërirë dhe integruar shërbimet e HIV me kujdesin e gjerë shëndetësor.
• Përdorimi i shërbimeve inovative të HIV-it, për të siguruar kujdes të vazhdueshëm për personat me HIV gjatë pandemisë, p.sh. përshkrimi i terapisë për disa muaj.
• Angazhimi, përkrahja dhe mbrojtja e punëtorëve shëndetësor dhe atyre në komunitet gjatë ofrimit të shërbimeve për HIV dhe COVID-19.
• Dhënia e përparësisë grupeve vulnerabile. Ofrimi i vazhdueshëm i shërbimeve të HIV-it gjatë COVID-19 për fëmijët, adoleshentët dhe grupacionet e veçanta.
COVID-19 dhe HIV
Tani, COVID-19 po përkeqëson pabarazitë dhe ndërprerjet e shërbimeve, duke e bërë jetën e shumë njerëzve që jetojnë me HIV më sfiduese.
Personat me HIV duhet të jenë shumë të kujdesshëm në respektimin e masave të përgjithshme për të shmangur infeksionin me COVID-19:
• Vaksinimi,
• Bartja e maskës,
• Mbajtja e distancës fizike,
• Mbajtja e higjienës personale dhe ambientit,
• Evitimi i udhëtimeve dhe tubimeve të panevojshme.
Në veçanti, duhet parapregaditur për infeksion të mundshëm, duke:
• Siguruar furnizim të mjaftueshëm (30-90 ditë) me barna për HIV.
• Vazhduar të merrni barnat për HIV, me që ato ndihmojnë që ta ruani sistemin imunitar.
• Mirëmbajtur stilin e shëndoshë të jetës (të ushqyerit e shëndetshëm, gjumë të mjaftueshëm së paku 8 orë në ditë dhe largimi nga stresi).
Solidariteti dhe ndarja e përgjegjësisë ndihmojnë ta luftojmë coronavirusin, përfundojmë epideminë e AIDS-it dhe garantojmë të drejtën për shëndet për të gjithë.
https://www.ëho.int/campaigns/ëorld-aids-day/world-aids-day-2021
https://niph-rks.org/2019/11/?print=print-search
https://www.unaids.org/en/resources/fact-sheet
Përcjellja e ecurisë së HIV/AIDS në Kosovë 1986-2021; Raporti i IKSHPK, 2021
(Kosova Sot Online)