Dhjetë ditë nga tragjedia në Gllogjan, dorasi ende në arrati

  • E. /
  • 06 December 2021 - 10:32
Dhjetë ditë nga tragjedia në Gllogjan, dorasi ende në arrati

Një sulm makabër është kryer para dhjetë ditësh ndaj një autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan. Dy nxënës dhe shoferi i autobusit mbetën të vrarë. Dhjetë ditë pas kësaj tragjedie, nuk ka asnjë të arrestuar

Për organet e rendit dorasi edhe pas dhjetë ditësh është ende i panjohur. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i dha ultimatum atij që të dorëzohet, të shtunën e kaluar. Ministri tha se të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në dispozicion të zbulimit të rastit.

“Unë i bëj ultimatum vrasësit që të dorëzohet sepse për çdo ditë ai i rëndon të tjerët, ai që i ndihmon vrasësit implikohet në vepër penale. Sa më parë që dorëzohet aq më mirë për rrethin e tij dhe për qytetarët e Kosovës. Unë mund të garantoj se jemi të vendosur që të gjitha kapacitetet tona shtetërore janë në dispozicion të zbulimit të këtij rasti”, tha ai më 27 nëntor.

E drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti lidhur me këtë rast deklaroi se nuk është i dyshuar vetëm një person. Sipas tij, nga informacionet që kanë marrë në terren, potencialisht janë të përfshirë më shumë se dy persona. Mehmeti tha se janë duke hetuar në tri pista se si mund të ketë ndodhur rasti. Ai ka përjashtuar mundësinë që ky rast ka qenë akt terrorist.

“Aktualisht jemi duke u përballur me një numër të konsiderueshëm të informacioneve rreth rastit dhe kemi sjell njësi shtesë dhe ekspertë të ndryshëm të niveleve hetimore dhe operative. “Mund të flasim për një sistem të diku 2 ose tri pistave të mundshme të hetimit. Të gjitha informacionet që jemi duke i marrë edhe nga provat materiale qojnë në këtë drejtim. Aktualisht po bisedojmë për një person me mundësi të ndërlidhjes edhe me persona të tjerë që nënkupton që mund të ketë më shumë se një të dyshuar. Deri në këtë moment nuk e kemi asnjë të dhënë asnjë provë asnjë informacion që shkon kah akti terrorist ose nga akti  që lidhet me çështje religjioz”, ka thënë ai.

Për këtë ngjarje kanë folur edhe dëshmitarët. Një prej dëshmitarëve që ka qenë në autobus në momentin kur ka ndodhur sulmi, ka thënë se sulmi është bërë nga një person i maskuar me kallash në dorë.

“Jemi kon tu ec me autobus. Edhe na ka dal një person i maskuar me kallash në dorë edhe ka filluar me gjuajt drejtë neve. Gjithçka ka ndodh shumë shpejt”, ka thënë ai i cili ka qenë i ulur ne ulëset e para të autobusit.

Autobusi ka qenë duke qarkulluar në relacionin Gjakovë – Deçan, në kohën kur kanë ndodhur të shtënat.

Nuk është ende e qartë nëse autobusi ka qenë cak i të shtënave.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e patën cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë.

Megjithë këto ende nuk dihet ende autori e as motivet e sulmit që tronditi Deçanin mbrëmjen e së premtes.

Ngjarjen e kanë dënuar edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe partive politike në Kosovë.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka premtuar 20 mijë euro për çdo qytetarë që jep informacione për të dyshuarit që janë të përfshirë në këtë vrasje.

(Kosova Sot Online)