Bota i ka të gjitha mjetet për t’i dhënë fund pandemisë së koronavirusit, por çfarë po ndodh?
Pandemia e Covid-19 nuk do të zgjasë përgjithmonë.
Ka të ngjarë që ajo të vazhdojë të zbehet teksa po fillon viti i tretë i saj, duke u rishfaqur me variante të reja dhe më pas duke u pakësuar për shkak të vaksinave, masave parandaluese dhe sjelljes njerëzore. Por edhe nëse virusi nuk zhduket kurrë, imuniteti do të përmirësohet dhe bota në mënyrë graduale do të jetë në gjendje të jetojë me Covid.
Ekspertët përgjithësisht bien dakord për këtë. “Pjesa më e madhe e specialistëve të sëmundjeve infektive mendojnë, për shumë muaj tashmë, se SARS-CoV-2 do të vazhdojë të jetë mes nesh,” tha Paul Hunter, profesor i mjekësisë në Universitetin e Anglisë Lindore në MB.
“Nipërit e nipërve tanë do të vazhdojnë të infektohen me virusin”, tha ai. Por “sëmundja Covid do të bëhet pjesë e historisë sonë pasi infeksioni të shndërrohet në thjesht një tjetër shkak të ftohjes së zakonshme.”
Megjithatë, ekziston një pyetje shumë më e rëndësishme, e cila vazhdon të mbetet pa përgjigje: Edhe sa kohë do të duhet për të arritur në këtë pikë?
Pandemitë zhduken si rezultat i përpjekjeve njerëzore, për shembull: zhvillimi i vaksinave, gjurmimi i kontakteve, analiza gjenomike, masat parandaluese dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Me pak fjalë, bota ka një sërë mjetesh për t’i dhënë fund pandemisë sa më shpejt të jetë e mundur.
Cili është problemi? Edhe pas 20 muajsh, këto mjete nuk po përdoren në mënyrën më të mirë.
“Kjo është çështja kryesore: Nuk ka pasur kurrë një plan, ende nuk ka një plan në nivel global,” tha Andrea Taylor, ndihmës drejtore e programeve në Institutin e Shëndetit Global Duke.
“Ne nuk dimë të përballemi me krizat globale si një botë e vetme – nuk kemi realisht as infrastrukturën e duhur, as lidershipin dhe as përgjegjshmërinë,” shtoi ajo.
Disa vende e kanë përballuar Covid-in më mirë se të tjerat. Por për të përshpejtuar fundin e tij, shumë ekspertë, duke përfshirë Taylor, po bëjnë thirrje për një qasje të re globale, veçanërisht kur bëhet fjalë për vaksinat, trajtimet dhe shkëmbimin e informacionit.
Një përpjekje e tillë është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund pandemisë sa më shpejt, thonë ata dhe nëse kjo nuk ndodh, njerëzit në çdo cep të botës mund të vazhdojnë të jetojnë nën renë e Covid-it përgjatë vitit 2022, madje edhe më tej.
“Ne e dinim që në fillim se çfarë do të ndodhte nëse do të ndërmerrnim këtë qasjen nacionaliste, e megjithatë ne e ndërmorëm atë,” tha Taylor. “Dhe tani po jetojmë me pasojat e saj.”
Mjeti kryesor në botë për të luftuar virusin
Nëse bota ka një arsenal për t’i dhënë fund pandemisë, arma më e rëndësishme e këtij arsenali është pa dyshim një dhe vetëm një.
“Mjeti i parë që kemi është vaksina,” thotë Roberto Burioni, profesor i mikrobiologjisë dhe virologjisë në Universitetin San Raffaele në Milano, një komentues i profilit të lartë mbi përgjigjen e Italisë ndaj pandemisë.
Zhvillimi i disa vaksinave, të gjitha shumë të efektshme në ndalimin e sëmundjeve të rënda, si dhe të dobishme në frenimin e transmetimit, ishte më i shpejti në botë. Rekordi i mëparshëm për të nxjerrë një vaksinë në treg ishte katër vjet, por pandemia Covid-19 tejkaloi të gjitha pritshmëritë dhe vendosi një standard të artë në këtë fushë.
Është e lehtë të shihet se sa vendimtare janë vaksinat për t’i dhënë fund Covid-19. “Ndërsa më shumë njerëz infektohen, vaksinohen dhe riinfektohen, ashpërsia e sëmundjes gradualisht do të bjerë për shkak të imunitetit të akumuluar – kështu është në teori,” tha Hunter.
Megjithatë, nuk mjafton thjesht të kesh një vaksinë; ajo duhet t’u jepet sa më shumë njerëzve të jetë e mundur, aq herë sa të nevojitet.
Edhe në vendet e zhvilluara ku disponueshmëria e vaksinave nuk përbën një problem, zbehja graduale e imunitetit, transmetueshmëria e varianteve të reja dhe skepticizmi ndaj vaksinave kanë bërë të qartë se nevojiten shkallë jashtëzakonisht të larta të mbulimit me vaksina për të parandaluar valët e reja të infeksioneve.
“Ajo që duhet të arrijmë është imunizimi i gjerë”, tha Burioni. “Një skenar i mundshëm është që, nëse jemi në gjendje të vaksinojmë një shumicë të madhe njerëzish, virusi do të vazhdojë të qarkullojë, por nuk do të shkaktojë shumë dëme.”
Përveç përpjekjeve të tyre të vazhdueshme për të inkurajuar njerëzit e pavaksinuar që të marrin dozën e tyre të parë, vendet më të pasura tani kanë dy shtylla kryesore në strategjitë e tyre të vaksinimit: sigurimi i vaksinimit të fëmijëve në moshë për të shkuar në shkollë, si dhe administrimi i vaksinave përforcuese – aq sa të jenë të nevojshme për të pasur një mbrojtje të lartë.
“Vaksinimi i fëmijëve mund të ketë një ndikim të madh në të ardhmen,” tha Burioni.
Vaksinimi i fëmijëve në moshë për të shkuar në shkollë po rritet në pjesën më të madhe të botës, ndërsa në SHBA, Administrata e Ushqimit dhe Barnave miratoi së fundmi vaksinën e Pfizer për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç.
Edhe Mbretëria e Bashkuar njoftoi një marrëveshje të enjten për të blerë 114 milionë doza shtesë të vaksinës Pfizer për 67 milionë qytetarët e saj për vitin 2022 dhe 2023. Kjo është një lëvizje që shumë vende të zhvilluara pritet ta ndërmarrin.
“Nuk e dimë se sa doza përforcuese do të na duhen, por ky është një problem i natyrës logjistike dhe ekonomike”, shtoi Burioni.
Kështu është, të paktën, në rajonet e zhvilluara të botës.
Por bota ka pasur prova të shumta se Covid-19 do të mbetet një kërcënim kudo, derisa të futet nën kontroll në të gjitha vendet dhe ekspertët paralajmërojnë se nevojiten veprime të forta për të arritur këtë qëllim.
(Kosova Sot Online)