Sot ditë e madhe për Sali Berishën, a do të “fundoset” Lulzim Basha?
Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha mbledh sot Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, ditë e cila sipas tij do të shënojë rithemelimin e PD-së.
Mbledhja e edemokratëve do të bëhet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, ku do të ngrihet një podium në të cilin do të mbajnë njëri pas tjetrit fjalën lideri historik i PD-së dhe ish themelues të saj apo delegatë.
Delegatët do kenë zonën e tyre të ndarë, por pjesa tjetër e stadiumit do jetë e hapur për të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike që duan t’i bashkangjiten punimeve të Kuvendit.
Kuvendi do të nisë në orën 10:00, ndërsa që në nisje do të bëhet verifikimi i mandateve të delegatëve, të cilët më pas do të duhet të votojnë disa qendra votimi të ngritura rreth stadiumit për propozimet e ish-kreut të PD-së.
Verifikimi i delegatëve do të bëhet në mënyrë elektronike, përmes një karte me të cilën ata janë pajisur paraprakisht, nga grupe të rinjsh.
Mbi kartë janë të shënuara të dhënat e tyre, si emër, atësi, mbiemri, pozicioni politik në parti, dega ku bëjnë pjesë dhe një kod sigurie që do t’i mundësojë Komisionit të Verifikimit të mandateve që do të ngrihet po nesër në kuvend për verifikimin e tyre.
Në Kuvend do të propozohen disa ndryshime statutore, për të cilat ka punuar një grup ekspertësh që iu bashkuan Sali Berishës, si Arben Ristani dhe Oerd Bylykbashi.
Dy më të rëndësishmet, miratimi i Nenit “Basha”që përcakton se kryetari shkarkohet automatikisht nëse humb zgjedhjet e përgjithshme ose kalon në votëbesim nëse humbet ato lokale, dhe përfshirja e anëtarësisë në marrjen e vendimeve nëpërmjet referendumit.
Nëse ka kuorum, do të votohet një mocion mosbesimi për shkarkimin e Bashës, pra për ta shkarkuar.
(Kosova Sot Online)