![Anulohet seanca gjyqësore ndaj Albulena Haxhiut](/uploads/kosova-sot/images/2025/January/28/200x200_albulena-haxhiu1738076425.png)
Britanikët s’e përmendin Ballkanin e hapur, mbështesin Procesin e Berlinit
![Britanikët s’e përmendin Ballkanin e hapur, mbështesin Procesin e Berlinit](/uploads/kosova-sot/images/2021/December/13/auto_2-1-1-600x3601639411963.jpg)
Britania e Madhe i ka bërë të qarta rrugët përmes të cilave, ajo beson se shtetet e Ballkanit duhet të ecin për t’i ulur tensionet dhe rritur bashkëpunimin dhe në listën e saj nuk është ‘Ballkani i Hapur’.
Qeveria e Britanisë së Madhe ka kthyer kokën nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, kryediplomatët e të cilëve i ka mbledhur në Londër sekretarja e Jashtme, Liz Truss.
Në njoftim të gjatë të lëshuar nga Qeveria britanike thuhet se tensionet në rajon kanë arritur në kulmin e tyre dhe i kërkon komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë, transmeton Gazeta Express.
Disa herë në njoftim përmendet se Britania e Madhe qëndron pas zotimeve të bëra në Procesin e Berlinit, kur flet për gjetjen e zgjidhjeve për t’i përmirësuar marrëdhëniet fqinjësore në Ballkan, pa vënë ndonjë theks te nisma e disa prej liderëve të rajonit për “Ballkanin e Hapur”.
“Në diskutime do të kërkohet po ashtu që të riafirmohen zotimet e Mbretërisë së Bashkuar në Procesin e Berlinit dhe të inkurajohet roli i shoqërisë civile për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”
Qeveria thotë se Mbretëria e Bashkuara përkrah aspiratat e Ballkanit Perëndimor për integrim Euro-Atlantik. Pajtimi dhe fqinjësia e mirë, thuhet në njoftim, janë kyçe për arritjen e këtij qëllimi dhe për stabilizimin e rajonit.
Në vitin 2018 Procesi i Berlinit në Londër, Mbretëria e Bashkuar negocioi nënshkrimin e tri deklaratave të përbashkëta që fokusohen në krimet e luftës, personat e pagjetur dhe raportet e mira fqinjësore. Të gjithë liderët në Procesin e Berlinit i kishin nënshkruar deklaratat.
Ballkani i Hapur, që është emërtimi i ri i “Mini-Shengenit” është nismë rajonale ekonomike, e shtyrë fuqishëm nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të përkrahur nga kryeministri i dorëhequr i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev. Kosova vazhdon ta kundërshtojë këtë nismë, përmes secilës qeveri të saj.
(Kosova Sot Online)