Isa Mustafa del me një mori këshillash për Përparim Ramën: E ke zor me Prishtinën

  • G.g /
  • 14 December 2021 - 15:06
Isa Mustafa del me një mori këshillash për Përparim Ramën: E ke zor me Prishtinën

Prishtina është qytet shumë i vështirë për t’u qeverisur. Me shumë njerëz, shumë vetura dhe fare pak hapësirë, çdo ndërhyrje për ta rikonstruktuar si vendbanim hasë në bllokadë nga pronarë privatë meqë komuna ka fare pak pronë publike.

Për Përparim Ramën, kryetarin e ri, që krejt fushatën e ka ndërtuar mbi idenë e ri-modelimit dhe transformimit të kryeqytetit të Kosovës, telashet do jenë akoma më të mëdha dhe realizimi i planeve më shumë se i vështirë.

Se sa e zorshme është ia thotë Isa Mustafa, një nga njerëzit që më mirë se kushdo tjetër i njeh të fshehtat e këtij qyteti.

Mustafa ka udhëhequr me Prishtinën në dy kohë e sisteme të ndryshme. Ai, një herë ishte kryetar i Këshillit Ekzekutiv, pra praktikisht kryetar i Prishtinës, në vitet 1984-88, e më pas kryetar i Komunës së Prishtinës për gjashtë vjet (2007-2013).

Mustafa, që megjithatë ia pranon potencialin Ramës, në një intervistë për Albanian Post thekson se problemi s’është te kryetari, as të dëshira e tij për të punuar, por te vetë specifika e qytetit.

“Unë besoj që mund të jetë edhe ka kapacitet të jetë kryetar i suksesshëm”, pohon Mustafa, por “për çdo njërin që vjen në atë pozitë, ka vështirësi”.

Ai deklaron se, fakti që Rama një kohë të mirë të jetës e ka kaluar në Mbretërinë e Bashkuar, s’përbën ndonjë diferencë, “sepse ambiciet, synimet, nganjëherë nuk përputhen me mundësitë, me rrethinën të themi edhe ligjore ose normative të komunës”.

Ish-kryetari tregon se “ka shumë kufizime që janë në fushën e pronës, të cilat pastaj nuk japin hapësirë të mjaftueshme që qëllimet, objektivat e mira të një kryetrari të komunës apo të një Kuvendi Komunal, të realizohen”.

“Prishtina ka pak tokë që është në pronësi të komunës, ku komuna mund të shkojë e të bëjë ndërtime, por kryesisht janë prona private të cilat më pas komuna nuk mundet t’i implementojë sipas dëshirave ose sipas orientimeve të saj”.

Për të qenë krejt bindës në atë që thotë, Mustafa thërret disa kujtime të tij në kohën kur me këtë problematikën e pronës i duhej të merrej vetë.

“Ne fillonim ndërtimin e një shkolle në një vend të caktuar, dilte një individ aty thoshte se ‘është prona ime e kam kontestuar, është në procedurë në gjyq’, edhe pastaj duhet pritur edhe pesë – gashtë vjet që të kryhet procedura e tij për të realizuar një investim”.

Kur vjen puna te ndërtimet, ky është një nga problemet, por jo i vetmi.

“Pastaj ka probleme me organet e prokurimit publik dhe me organet të cilat merren me mbikëqyrjen e prokurimit publik, siç është OSHP dhe te tjerë, dikush ankohet – e çon atje – edhe një investim që duhet ta bëje gjatë një viti, të shtyhet për vitin tjetër për shkak të procedurave, sepse nuk mund ta fillosh investimin”.

Arsyeje të tilla për mos realizimin e projekteve ka plotë, por gishti i qytetarit – tregon Mustafa nga përvoja – gjen veç një fajtor, kryetarin.

“Gjithmonë pastaj përgjegjësia mbetet tek ti që nuk arrite t’i shfrytëzosh mjetet që i ke pasur në buxhet për investime publike”.

Mustafa pohon se kishte provuar ta zgjidhte këtë ngërç. Kishte dërguar ekipe në vende të ndryshme për të marrë përvoja, por siç do ta kuptonte më vonë, “copy paste” në këto lloj punësh nuk funksionon.

Ndryshojnë ligjet, mentalitetet dhe kontekstet.

“Nja tri herë kam ç’u ekspertët tanë të urbanizmit në Turqi që të shihnin përvojat. Edhe në Stamboll edhe në Ankara, sepse atje është punuar shumë më shumë në hapjen e lagjeve të reja, mirëpo rregullativat ligjore atje kanë qenë ndryshe, në krahasim me tonën”.

Si përfundim, Mustafa do ta kuptonte se “s’ka pronë për ndërtim të shkollave, s’ka pronë për ndërtim të çerdheve për fëmijë, s’ka pronë për ndërtim të hapësirave sportive që nevojiten për qytetin, s’ka mundësi ose, mundësitë janë shumë të ngushta për zgjerimin e rrugëve në qytet”.

Tjetër vështirësi – koalicionet politike

Perparim Rama dhe Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike te Kosoves qe e zgjodhi Ramen te garonte ne siglen e LDK-se per Prishtinen

Përparim Rama e ka mundur Arben Vitinë për 1603 vota, por Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë e ka mposhtur Lidhjen Demokratike të Kosovës për 5099 vota, prandaj, në Asamblenë e kryeqyteti prej 51 ulësesh, LDK ka vetëm 14 prej tyre.

I duhen edhe 12 për të siguruar një shumicë të thjesht – vota që mund t’i gjejë në grupin e asamblistëve të LVV-së që ka 17 gjithsejtë.

Kjo mund të ketë qenë edhe arsyeja pse Rama pak ditë pas fitore e ftoi rivalin Vitia që t’i bashkohet në qeverisjen lokale si Drejtor i Shëndetësisë.

Por, për Mustafën tingëllon disi e çuditshme kjo thirrje e Ramës.

“Tani, se si e ka menduar ai ta bëjë këtë marrëveshje me zotëri Vitinë pa e bërë me VV-në, a funksionon apo jo, është çështje tjetër.  Sepse rendi i punës është që së pari bëhet marrëveshja me subjekt pastaj ai subjekt i delegon njerëzit e vet që marrin përgjegjësi në kuvendin komunal”, thotë Mustafa për Albanian Post.

Megjithatë, nuk paragjykon, “i mbetet zotëri Ramës që ai ta mendojë këtë punë”. Derisa i sugjeron që “të konsultohet edhe me subjektin, i cili e ka sjellur deri aty që të fitojë për kryetar të komunës”.

Por, qoftë me Vitinë e VV-së, qoftë me dikë tjetër, rëndësi ka pak. I domosdoshme është sigurimi i votave, sepse, siç e di Mustafa nga përvoja, ndryshe nuk bën.

“Nganjëherë votat mund të arrihen edhe aty për aty me subjektet politike, mirëpo siguri nuk ka të plotë në qoftë se nuk e ke një numër të mjaftueshëm të votave për të filluar një procedurë”.

“Planet rregullues, planet zhvillimore të komunës, kërkojnë gjithmonë përkrahje. Ose buxheti i komunës, kërkon që të ketë votat e mjaftueshme. Unë vlerësoj se tash duhet të bëhet përpjekje që të gjenden dy ose tre partnerë dhe të mund të arrihet një qeverisje më stabile sa i përket rregulloreve dhe dokumenteve të cilat kalojnë përmes kuvendit”.

Po liqeni?

Mustafa, edhe pse me njëfarë nënqeshje, nuk ka hezituar të flas për idenë e lëshuar në ajër nga Rama gjatë fushatës, për shndërrimin e stadiumit aktual “Fadil Vokrri” në liqe.

Rama më pas e kishte sqaruar. Pati thënë se iu nxor nga konteksti dhe se atë e dha veç si një ide që do realizohej vetëm pasi të kishte Prishtina një tjetër stadium dhe vetëm pasi të ishte konkretizuar plani mirë.

Por, sqarimi nuk e ndali euforinë shpotitëse dhe me ironi në drejtim të Ramës. Shumica e patën përqeshur, një pjesë më e vogël thanë se Rama ishte një urbanist futuristik dhe nuk po kuptohet mirë.

Mustafa, me përgjigjen e tij, nuk takon as te grupi i parë dhe as te i dyti. Atij, thjesht, i duket diçka vështirë e realizueshme.

“Si e ka konceptuar zotëri Rama ndërtimin e liqenit është çështje tjetër, sepse mua nuk më ka rënë të bisedoj me të: si do të sigurohet uji, mirëmbajtja, hapësira, është një çështje për të cilën unë nuk mund të flas tani, por e di që brenda qytetit është mjaft rëndë dhe vështirë të bëhet”, thotë ai.

(Kosova Sot Online)