Lexoni edhe:
“Kuvendi i Podujevës mund të shkojë në zgjedhje”
Në Britani, varianti Omikron i koronavirusit po përhapet me shpejtësi. Pasi bisedave me kolegët britanikë, ministri gjerman i Shëndetësisë Lauterbach paralajmëron se pret “valë të pestë masive” të virusit në Gjermani.
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach shprehet i shqetësuar për rrjedhën e pandemisë në Gjermani. Lidhur me variantin e ri të koronavirusit Omikron, politikani socialdemokrat tha në Hannover se ai pret një “valë të pestë masive”.
“Kuvendi i Podujevës mund të shkojë në zgjedhje”Lexoni edhe:
Lauterbach-u tha se është në kontakt me kolegët në Britani dhe tregimet e tyre janë shqetësuese. “Kjo do të thotë se duhet të përgatitemi këtu me të vërtetë për një sfidë, që nuk e kemi pasur ende në këtë formë,” tha Lauterbach-u gjatë një vizite te qeveria e landit federal të Saksonisë së Ulët.
“Pikë kyçe e pandemisë”
Përhapja e këtij varianti të virusit në Gjermani nuk mund të shmanget më, tha Lauterbach-u. Edhe një ecuri e lehtë e sëmundjes nuk do ta ndryshonte rrezikun. “Kjo mund ta mbajë të ulët numrin e vdekjeve për dy ose tre javë. Por pastaj rritja e rasteve do ta kompensonte këtë avantazh.” Sipas tij, kjo përbën një sfidë të madhe për spitalet, reanimacionet dhe shoqërinë në tërësi.
Ministri tha se “jemi në një moment kyç të pandemisë”. Tani është e domosdoshme të ndalet sa më shumë që të jetë e mundur vala e Omikronit, theksoi Lauterbach. Kjo mund të kursejë kohë në dhënien sa më shumë njerëzve të një vaksinimi përforcues. Për këto rifreskime të vaksinës, aktualisht është në dispozicion kryesisht vaksina e firmës Moderna, e cila është po aq efektive sa ajo e BioNTech/Pfizer-it, theksoi ministri federal.
Testim, testim, testim gjatë sezonit të festave
Me afrimin e sezonit të festave, ministri Lauterbach u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë kur udhëtojnë parimin: “ne mbrojmë njëri-tjetrin”. Të gjithë duhet të testohen fillimisht ose të paktën të testojnë veten – mundësisht disa herë. Ministri tha se nevojitet një kujdes i veçantë veçanërisht për njerëzit që nuk kanë bërë një vaksinë përforcuese.
Ministri gjerman i Shëndetësisë ishte kritik ndaj një vendimi të Gjykatës së Lartë Administrative të Saksonisë së Ulët, e cila rrëzoi të enjten rregulloren 2G në shitjen me pakicë. Lauterbach-u tha se ky vendim e kishte habitur. Ai nuk po kritikon gjykatat, “kjo është sigurisht e ndaluar,” tha Lauterbach-u. “Por gjithsesi dua të theksoj se nuk ka kuptim, as nga pikëpamja epidemiologjike, as nga pikëpamja e politikës shëndetësore, të përmbyset një rregull i tillë tani, sidomos përballë valës së Omikronit që na pret”./DW
(Kosova Sot Online )