Kontrabandonin qytetarët e Kosovës, dështon gjykimi ndaj të akuzuarve

  • E. /
  • 20 December 2021 - 13:25
Kontrabandonin qytetarët e Kosovës, dështon gjykimi ndaj të akuzuarve

Njëri i akuzuar mungon për shkaqe shëndetësore, shtyhet gjykimi për kontrabandim me migrantë dhe vepra tjera penale

Për shkak se i akuzuari Xh.F ka munguar për shkaqe shëndetësore, ka dështuar seanca e së hënës ë Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në këtë rast, ai bashkë me S.M, A.K, A.B, H.M, D.S, B.Z, B.D dhe B.H akuzohen se kishin ndërmarrë veprime me anë të së cilave është synuar kontrabandimi i shtetasve kosovarë.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Xh.F, kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi- Jashanica njoftoi se i akuzuari përmes parashtresës e kishte njoftuar gjykatën se për arsye shëndetësore, nuk mund të jetë i pranishëm në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Andaj, për këtë, gjykata kërkoi nga prokurorja Fikrije Fejzullahu mendim se a do të vazhdohet procedura me të gjithë të akuzuarit apo të veçohet.

Prokurorja Fejzullahu tha se ajo nuk është kompetente të di se sa kohë i duhet të akuzuarit të rikuperohet, andaj propozoi që të merret një mendim mjekësor se a është koha optimale, në mënyrë që të dihet se a mund të pritet vazhdimi i gjykimit me të gjithë të akuzuarit apo të veçohet procedura.

Gjykatësja Krasniqi-Jashanica tha se do të kërkohet nga konzoliumi mjekësor se a mund të prezantojë i akuzuari për seancat e radhës.

Në këto rrethana, kjo seancë u shty dhe e radhës pritet të mbahet më 23 dhjetor 2021.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2013, S.M, A.K, H.M dhe D.S nga qershori 2011 e deri më 5 shkurt 2013, duke vepruar në kuadër të grupit të organizuar dhe të strukturuar, me qëllim të përfitimeve të dobisë pasurore financiare, kanë kontrabanduar shtetas të Republikës së Kosovës.

Siç pretendon prokuroria, të njëjtit i kishin gjetur migrantët që kanë qenë të interesuar të shkojnë në vende të ndryshme të Evropës, pastaj ishin marrë vesh për çmimin që duhej të paguanin migrantët, që arrinte shumën deri në 3 mijë euro për person, pastaj migrantët, në mënyrë ilegale, përmes personave të ndryshëm në Serbi, i kanë dërguar përmes Serbisë dhe Hungarisë në vendet e ndryshme të Evropës.

Për veprime të ngjashme në të njëjtën kohë, me veprën penale të krimit të organizuar lidhur me kontrabandim me njerëz  por të mbetur në tentativë, prokuroria ka ngarkuar të akuzuarit tjerë, A.B, B.Z, B.D, B.H dhe Xh.F.

Siç thuhet në aktakuzën e prokurorisë, ky grup ka vepruar në dy grupe të ndara, e në grupin e dytë, kanë qenë të përfshirë edhe katër të akuzuarit e parë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në këtë aktakuzë e ka përfshirë edhe A.L, ndaj të cilës është arritur parashkrimi i ndjekës penale.

Ajo akuzohej se duke kryer detyrën e saj si zyrtare për letërnjoftima dhe pasaporta në zyrën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Komunën e Mitrovicës, ka marrë ryshfet nga i akuzuari B.H/

Sipas prokurorisë, ajo nga data e pavërtetuar e deri më 6 shkurt 2013, ka marrë para për vete dhe të akuzuarin B.H si dhe ka pranuar premtimin për dhënie të parave nga ai për të kryer në kuadër të autorizimeve të saj veprime zyrtare apo veprime tjera, të cilat ajo nuk duhej t’i kryente.

Në aktakuzë thuhet se ajo ishte marrë vesh me të akuzuarin B.H, ua kishte rregulluar dokumentacionet personave të ndryshëm dhe për këto veprime ka pranuar para për vete deri në 400 euro për një rast, duke i mundësuar përfitim financiar të akuzuarit B.H, po ashtu deri në 400 euro për një rast.

Me këtë, i akuzuari po ngarkohet me veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

Ndërkaq, i akuzuari B.D, sipas prokurorisë, nga data e pacaktuar e deri më 26 shkurt 2013, u ka dhënë ndihmë juridike pa autorizim disa personave, të cilëve u ka rregulluar dokumentacione dhe i ka përfaqësuar para organeve të Serbisë, duke u kërkuar pagesë deri në 1 mijë e 200 – 3 mijë euro, për të nxjerrë në emrin e tyre dokumente si certifikata të lindjes, letërnjoftime, pasaporta apo dokumente për marrjen e nënshtetësisë së Serbisë.

A.B me këtë aktakuzë është akuzuar edhe me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, por prokurori për këtë vepër ka hequr dorë pasi është përfshirë në Ligjin për Amnistinë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

(Kosova Sot Online)