“A e mbështet BE, Ballkanin e Hapur?” Varhelyi: Unë po, jam me ju

  • G.g /
  • 21 December 2021 - 10:38
“A e mbështet BE, Ballkanin e Hapur?” Varhelyi: Unë po, jam me ju

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në kudër të takimit për nismën ‘Ballkani i Hapur’ prezantoi edhe Oliver Varhelyin, Komisionerin për zgjerimin në BE.

Kreu i qeverisë shqiptare, duke mos i kursyer batutat për lidhjen përmes platformës online me komisionerin, kërkoi nga ky i fundit një konfirmim për ‘Ballkanin e Hapur’ nëse ka apo jo mbështetjen e BE.

“Kur nisëm ishit i ngrirë, tani jeni i shkrirë. Ju nuk ndiqeni vetëm nga ne por dhe nga ekranet e tv. Ata duan të dinë që; A e mbështet BE Ballkanin e Hapur?! Ky do të ishte lajm i ditës.”, tha Rama.

Në fjalën e tij komisioneri i Olivér Várhelyi mbështeti nismën e Ballkanit të Hapur duke ftuar edhe tre vendet e tjera të rajonit që të bëhen pjesë. Nga Samiti i Tiranës ku ishte pjesë online, zyrtari i lartë i Brukselit nxiti Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë për të ecur përpara duke hequr burokracitë mes vendeve.

“Unë jam nga Hungaria dhe kjo më jep një nivel më të afërt të kuptimit si mund të ndihmojmë Ballkanin. Për të qenë i ndershëm kam qenë i prirur pozitivisht ndaj këtij propozimi. Ju vazhdoni ta nxisni këtë nismë sepse rajoni kërkon që të jetë një i tërë sa i takon ekonomisë dhe shoqërisë. Rajoni kërkon që të jetë bashkë, sikur jemi ne në BE. Admiroj edhe faktin edhe sa e ndjeni këtë nismë. Ka qenë një nismë që vjen nga Ballkani. Nuk është BE që doli me këtë nismë, por erdhi prej jush, tre aktorëve që shoh rreth tryezës dhe ju vazhduat të shtynit përpara edhe kur ne nuk arritëm që të tërhiqnim pjesëmarrjen e të gjithë partnerëve, sepse ju kuptuat rëndësinë e tregut rajonal dhe mënyrën sesi mund të përshpejtojë integrimin ekonomik. Ne mendojmë se ky është mesazhi më i mirë se rajoni mund të përçojë se jo vetëm se është gati për bashkëpunim rajonal por po e bën. Mund të më përfshini si mbështetës të Ballkanit të Hapur. I ftuar tre partnerët e tjerë t’i kthehen këtij bashkëpunimi rajonal” tha ai.

(Kosova Sot Online)