“Open Ballkan”, Rama-Zaev-Vuçiç: Marrëveshjet futen në fuqi nga dita e sotme, nuk presim BE-në
Pesë marrëveshjet e firmosura sot në Tiranë do të futen menjëherë në fuqi. Kështu deklaruan tre liderët e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë për paktin e “Ballkanit të Hapur”. “Do të jenë menjëherë pas nënshkrimit. Do të fillojë puna. Janë të menjëhershme” tha Edi Rama.
Presidenti serb ishte i vetëdijshëm për problemet e para që mund të dalin pasi të nisë zbatimi. “Kur mbaron me nënshkrimet elektronike. Për të gjithë njerëzit në vendet tona do të nisë zbatimi menjëherë, mund të ketë disa probleme teknike, por do të zgjidhen rrugës” tha Vuçiç.
“Marrëveshja e bujqësisë e nis zbatimin sot, ajo për tregun e punës në javët dhe muajt në vijim” tha Zoran Zaev.
Gjithashtu kryeministri i Maqedonisë deklaroi se Ballkani nuk mund të presë BE-në, që sipas tij dështoi me negociatat. “Kur BE dështon ne kemi detyrimin të ndërmarrim nisma që evropianizojnë rajonin dhe sjellin një jetë më të mirë. Brukseli mund të ngadalësojë procesin, por ne nuk duhet të presim dhe ndalemi.
Ballkani është Europë dhe asgjë më pak se kaq. Të tre vendet mbeten të angazhuara për të përmbushur detyrimet për t’ju qasur BE-së. Falenderoj SHBA dhe BE-në për mbështetjen, që konfirmon se po zbatojmë një proces të një hapësire të përbashkët ekonomike për përfitime për qytetarët tanë” tha ai.
(Kosova Sot Online)