Omicron bëhet dominues në SHBA, 73% e rasteve të reja të infektuara me këtë variant

  • G.g /
  • 21 December 2021 - 14:54
Omicron bëhet dominues në SHBA, 73% e rasteve të reja të infektuara me këtë variant

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) njoftoi se 73 për qind e rasteve të reja me Covid në Shtetet e Bashkuara i përkasin variantit Omicron, i cili është bërë tani varianti dominues në Amerikë.

Sipas autoriteteve në Nju Jork, mbi 90 për qind e infeksioneve të reja janë me Omicron.

Varianti i ri, që është shumë më ngjitës, i ka detyruar autoritetet të rikthejnë masa të ndryshme kufizuese.

Shkencëtarët ende po përpiqen të studiojnë variantin e ri, për të cilin ka patur njoftime se shoqërohet me simptoma më të lehta, por ende nuk ka një përfundim të qartë për këtë.

Autoritetet rekomandojnë bërjen e dozës së tretë, përforcuese të vaksinës, pasi dy doza nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme për variantin Omicron, që po përhapet me shpejtësi.

Presidenti Biden pritet t’i drejtohet vendit me një fjalim sonte, ku pritet të shpallë masa të reja për të luftuar pandeminë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se një prej nismave është shpërndarja e 500 milionë testeve të shpejta kundër Covid-it, që mund të administrohen vetë në shtëpi.

Sipas të dhënave zyrtare në Shtetet e Bashkuara 204 milionë banorë janë plotësisht të vaksinuar dhe 61 milionë, ose 30 për qind, kanë marrë edhe dozën e tretë përforcuese.

(Kosova Sot Online)